Truku i KQZ-së rrëzon prokurorinë, mban në detyrë Peçin e Zotkën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje shenjën e barazimit mes fshehjes së një dënimi penal të formës së prerë dhe një korrigjimi civil të emrit që është bërë nga disa deputetë të Kuvendit të Shqipërisë në formularin e vetëdeklarimit.

Në mbledhjen e zhvilluar dje, KQZ vendosi të mos shqyrtojë kërkesën e prokurorisë për ndërprerjen e mandatit të dy kryebashkiakëve. Prokuroria kishte kërkuar më herët ndërprerjen e mandatit për Adriatik Zotkën dhe Tërmet Peçin, por në mungesë të anëtarëve të opozitës, të cilët braktisën mbledhjen, KQZ vendosi t’i përfshijë ata në listën e zyrtarëve që kishin patur probleme me formularin e dekriminalizimit.

Problemet e konstatuara kanë qenë kryesisht mungesë germash në gjenealitetet e subjekteve, apo mosdeklarim të vendimeve të pafajësisë nga disa subjekte të tjera.

Në total u riverifikuan 21 subjekte, (13 deputetë dhe 8 kryebashkiakë), edhe pse kërkesë për ndërprerje mandate nga prokuroria kishte vetëm për dy deputetë. Anëtarët e opozitës e konsideruan këtë mbledhje si një goditje të rëndë për ligjin e dekriminalizimit dhe teatër të shëmtuar nga kolegët e tyre të shumicës dhe më pas braktisën mbledhjen.

Dita e enjte ishte dhe afati i fundit kur KQZ duhet të shqyrtonte vendimin e prokurorisë për ndërprerjen e mandatit të kryebashkiakëve Peçi e Zotka.

Por kryetari i Komisionit, Denar Biba, zgjodhi një taktikë tjetër në mbledhjen e djeshme, çka u bë objekt debatesh dhe kundërshtish. Me shumicë votash u vendos që në mbledhje të riverifikoheshin të 21 rastet, duke përfshirë edhe dy subjektet për të cilat prokuroria kishte kërkuar ndërprerjen e mandatit.

Pra KQZ nuk caktoi një pikë në rendin e ditës për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë për dy kryebashkiakët, por i përfshiu ata bashkë me 19 subjektet e tjera, të cilët sipas Komisionit kishin probleme me formularët e dekriminalizimit.

Sipas relacionit të publikuar në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, referohet se dy subjektet për të cilët është kërkuar ndërprerja e mandatit janë në të njëjtat kushte edhe me disa funksionarë të tjerë, pasi që të gjithë kanë pasqyruar në formularin e vetëdeklarimit të dhëna të pavërteta, të paplota dhe të pasakta, gjë që në bazë të formularit të vetëdeklarimit “sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/apo emërimi nga funksioni publik”.

Sipas anëtarëve të opozitës, ky argumentim jo vetëm që nuk ka asnjë bazë ligjore, por as KQZ nuk është kompetente për të marrë një vendim të tillë. Megjithatë zanafilla e vendimit të djeshëm të KQZ-së nis në korrik të vitit të shkuar, kur ky institucion shqyrtoi të dhënat e pasqyruara në formularët e vetëdeklarimit për funksionarët publikë, deputetë, ministra qe nuk janë deputetë dhe kryetarët e bashkive.

Në përfundim të shqyrtimit KQZ, ndonëse nuk mori vendim, në mënyrë publike vlerësoi se asnjë prej funksionarëve publikë të verifikuar nuk përfshihej në kushtet për ndërprerjen e mandatit dhe ndalimin e ushtrimit të funksionit, edhe pse të gjithë anëtarëve iu bë e qartë se një numër i caktuar subjektesh nuk kishin deklaruar në formular të dhëna të caktuara si ndryshime gjenealitetesh apo dënime të mëparshme.

Më pas, Sektori i Verifikimit të Integritetit i kërkoi KQZ-së verifikimin e të dhënave në formularin e vetëdeklarimit për 10 funksionarë publikë.

Pas verifikimit, KQZ i dërgoi rastet për hetim të thelluar në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila deri tani ka dalë vetëm me dy vendime: Ndërprerjen e mandatit për kryebashkiakët Tërmet Peçi dhe Adriatik Zotka, ndërsa nuk është shprehur ende për zyrtarët e tjerë, që u riverifikuan dje nga KQZ.

Pavarësisht këtij fakti, KQZ i riverifikoi të 21 subjektet me probleme në formularin e parë të vetëdeklarimit, çka sipas anëtares së opozitës në KQZ, Vera Shtjefni nuk ka asnjë bazë ligjore.

“Është e qartë se nuk ka as bazë ligjore dhe as kompetencë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të bërë këtë lloj teatri që bëri sot. Në pikëpamjen ligjore dhe morale, kjo është një shfaqje e shëmtuar sepse përfshiu edhe subjekte që nuk kanë asnjë lloj ngarkese në kuptimin e ligjit të dekriminalizimit”, -tha Shtjefni.

Vendimi i KQZ-së bazohet në nenet 14 dhe 15 të ligjit për Dekriminalizimin, të cilët në asnjë pikë të tyre nuk flasin për riverifikim të të dhënave që subjektet kanë paraqitur në formularin e vetëdeklarimit.

Neni 15 i ligjit shprehet qartë se funksionarët publikë që janë subjekt i këtij ligji, që janë aktualisht në detyrë, kryejnë vetëdeklarimin dhe e depozitojnë pranë organit kompetent, sipas këtij ligji, brenda 2 muajve nga miratimi i formularit të vetëdeklarimit nga Kuvendi.

Pra në asnjë pikë të këtyre dy neneve që referohen si bazë ligjore për vendimin e djeshëm të KQZ nuk përmendet riverifikimi i subjekteve, i cili u kundërshtua edhe nga anëtarët e opozitës në KQZ.

Ata kërkuan që të mos përfshiheshin në një pikë të rendit të ditës riverifikimi i të dhënave me karakter civil për 19 subjekte dhe kërkesat e prokurorisë për ndërprerjen e mandatit të dy kryebashkiakëve.

Tre anëtarët e KQZ kërkuan të diskutoheshin vetëm kërkesat e prokurorisë si institucioni i vetëm i ngarkuar me ligj për të dalë me vendim nëse një subjekt është apo jo në kushtet e ndalimit të mandatit.

Por kjo kërkesë u kundërshtua nga anëtarët e opozitës, të cilët përfshinë në të njëjtën listë edhe dy subjektet për të cilat prokuroria kishte kërkuar ndërprerjen e mandatit.

Në përfundim, vendimi u dha për 21 subjektet, të cilët sipas katër anëtarëve të shumicës në KQZ, nuk janë në kushtet e ndërprerjes së mandatit. Ndërsa prokuroria i ka ende në proces verifikimi të thelluar, për të cilat KQZ vendosi dje se janë në rregull, edhe pse kanë plotësuar një formular të dytë pas afatit të përcaktuar në ligj.

Me nisjen e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, KQZ ka vendosur të ndërpresë mandatin për deputetët Dashamir Tahiri e Shkëlqim Selami dhe për kryebashkiakun Elvis Rroshi.

Nuk u shpreh rreth kërkesës së prokurorisë për ndërprerjen e mandatit të deputeti Armando Prenga, i cili dha dorëheqjen kur KQZ-së i kishte përfunduar afati dhe nuk shqyrtoi veçmas kërkesën e sektorit kundër dekriminalizimit për ndërprerjen e mandatit të dy kryebashkiakëve.

Aktualitet

Archives