Xhafaj: Vonesa e vettingut, pasoja fatale. Procesi do vijojë në Kuvend

Kryetari i komisionit të ligjeve, Fatmir Xhafaj ka deklaruar këtë të martë se, vonesat në miratimin e ligjit të vettingut mund të kenë pasoja fatale për drejtësinë.

“Nëse procesi i vettingut nuk kryhet në kohë do të krijonte pasoja direkte në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, KLGJ dhe KLP, pasi këto institucione kanë një afat të limituar nga Kushtetuta. Prandaj është i rëndësishëm vettingu. Por unë besoj se do të bëhet në kohë”, ka thënë Xhafaj.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Xhafaj ka theksuar se procesi i zhvilluar nga Avokati i Popullit, hartimi i listave të kandidatëve për komisionet e vettingut, është një procedurë administrative.

“Vendimi i djeshëm i Kuvendit synon t’i japë procesit ligjshmëri në çdo hap. Në këtë moment nuk mund të ketë kthim mbrapa dhe procesi do vazhdojë në Kuvend në zbatim të ligjit”, ka thënë Xhafaj.

Aktualitet