Ndahet nga jeta Raymond Kopa

Legjenda e futbollit francez Raymond Kopa u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare, lajm që u bë i ditur nga mediat franceze.

Kopa konsiderohet si talenti i parë i futbollit francez. Në Botërorin e vitit 1958, kur bota zbuloi Pele dhe kur Just Fontaine shënoi 13 gola, ishte pikërisht Kopa ai që u shpall futbollisti më i mirë i turneut.

Ai, së bashku me Fontaine, drejtuan përfaqësuesen e Francës drejt vendit të tretë në Botëror. Për më tepër, Kopa fitoi edhe Topin e Artë në vitin 1958, trofe i cili në atë periudhë u dorëzohej vetëm futbollistëve evropianë, për t’u bërë francezi i parë që e arrin një sukses të tillë përpara Platini, Papin dhe Zidane.

Raymond Kopa është konsideruar si një simbol i Reimsit, pjesë e së cilës u bë në vitin 1951. Në 1956 ai e drejtoi skuadrën franceze drejt finales së Kupës së Kampioneve kundër Realit të Madridit, të humbur me rezultatin 3-4. Një vit më vonë, Kopa u bë pjesë e “Los Blancos”, duke u bashkuar me legjenda të tilla si Puskas apo Di Stefano, për të fituar 2 tituj kampionë të Spanjës e 3 Kupa Kampionesh.

Aktualitet