Fondi Sovran i Pasurisë, pasuria e popullit rikthehet tek populli

Fondet Kombëtare të Pasurisëjanë fonde që zotërohen dhe menaxhohen nga shteti me synimin për të investuar të ardhurat e siguruara nga asete të ndryshme financiare.

Në këtë kontekst, edhe Turqia në gusht të 2016-s ka themeluar shoqërinë Anonime të Menaxhimit të Fondit Kombëtar të Turqisë (Türkiye Varlık Fonu Yönetimi Anonim Şirketi), e cila është në cilësinë e “garancisë” për të siguruar forcimin e ekonomisë turke përballë disa ndërhyrjeve të jashtme dhe për të treguar fuqinë e saj.

Fondi do të jetë i varur nga Kryeministria dhe objekti kryesor i aktivitetit të tij mund të përmblidhet në këto pika: krijimi dhe menaxhimi i fondeve të reja; kontributi në diversitetin dhe thellësinë e instrumenteve në tregjet e kapitalit; përfitimi në ekonominë e vendit të aseteve publike kombëtare; sigurimi i burimeve të jashtme (financiare); pjesëmarrje në investime strategjike dhe me përmasa të mëdha.

Kapitali themelues i kompanisë është përballuar nga Fondi i Privatizimeve. Ky fond qeveritar është krijuar me qëllim për të forcuar edhe anën kombëtare të ekonomisë turke.

Plani 3-vjeçar i investimeve strategjike, që përfshin Shoqërinë Anonime të Menaxhimit të Fondit Kombëtar të Turqisë si dhe shoqëritë që janë filiale ose në varësi të kësaj kompanie bashkë me fondin e saj dhe nën-fondet që do të krijohen më pas, është përgatitur nga Bordi i Drejtorëve me 5 vetë dhe ka hyrë në fuqi pas miratimit nga Këshilli i Ministrave.

Shoqëria tregtare që do të administrojë fondin është themeluar në përshtatje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e korporatave dhe në kuadër të Ligjit për Mbikëqyrjen e Tregut të Kapitaleve. Shoqëria në fjalë, Fondi Sovran i Pasurisë së Turqisë dhe nën-fondet e tjera që do të krijohen më vonë do të jenë subjekt i auditimit të pavarur.

Pikënisja kryesore në menaxhimin e fondeve të tilla është përdorimi i aseteve për qëllime përfitimi, duke ruajtur ekuilibrin risk-fitim. 

Ja pra edhe Turqia në shërbim të këtij qëllimi ka transferuar në Fondin shtetëror të investimeve në total 46 asete (pasuri të paluajtshme) me një sipërfaqe të përgjithshme 2,2 milionë metra katrorë në pronësi të dy bankave publike “Ziraat Bank” dhe “Halkbank”, kompanisë së linjave ajrore turke Turkish Airlines (THY), Shoqërisë Anonime për Ndërtimin e Tubacioneve dhe Transferimin e Hidrokarbureve (BOTAŞ), Korporatës turke të Hidrogarbureve (TPAO), PTT-së turke, Shoqërisë Anonime të Bursës së Stambollit, Shoqërisë Anonime të Operimit të Komunikimit Satelitor, Televizionit Kabllor TURKSAT, Drejtorisë së Përgjithshme të Administrimit të Minierave (Eti Maden).

Kështu, paratë e këtyre institucioneve, të cilat nuk i përdorin për investime të gjitha të ardhurat e tyre, do të grumbullohen në një vend dhe prej këtu do të përdoren për të investuar në fusha e sektorë që premtojnë të ardhme.

Zëvendëskryeministri Numan Kurtullmush (Numan Kurtulmuş) tha se transferimi i këtyre kompanive në Fondin Kombëtar të Pasurisë është bërë me qëllim për të krijuar një burim të fuqishëm financiar në duart e shtetit dhe për të krijuar një “strukturë dinamike, të aftë për ta mbrojtur veten nga sulmet ekonomike“.

Kurse këshilltari kryesor i Presidentit Erdoan për çështjet ekonomike,  Xhemil Ertem (Cemil Ertem) u shpreh se Fondi Turk Shtetëror i Investimeve do të jetë një institucion i hapur ndaj mbikëqyrjes ndërkombëtare. Ky fond, – theksoi ai, – do të sigurojë funksionimin më mirë të tregjeve me mall turk, do të sigurojë mbështetjen e sistemit bankar nga tregjet e kapitalit.

“Në këtë kuptim, mund të themi se në Turqi është e mbyllur periudha e privatizimeve bllok dhe vendi ka hyrë në një periudhë e re të privatizimit, në të cilën pasuritë e popullit do ti rikthehen sërish popullit. Do të shikojmë një periudhë të re, në të cilën asetet turke do të vlerësohet jashtë shtetit. Asetet turke do të hapen për botën”, – tha Ertem.

Aktualitet

Archives