Presidenti Nishani mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare u diskutuan, çështje lidhur me rastin që njihet si çështja “Balili”, si dhe për luftën ndaj trafikut të lëndëve narkotike në Shqipëri.

Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani u mblodh sot Këshilli i Sigurisë Kombëtare për të diskutuar, analizuar dhe koordinuar veprimet dhe përpjekjet lidhur me çështjen që njihet si çështja “Balili”, si dhe për të diskutuar për luftën ndaj trafikut të lëndëve narkotike në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë, thuhet se Nishani gjatë fjalës së tij në këtë mbledhje u shpreh se çështja “Balili”, përtej nivelit kombëtar i tejkalon përmasat individuale të rastit në fjalë, sepse është shtrirë dhe ka marrë përmasa të zgjeruara gjeografike në disa shtete fqinje.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në fjalën e tij, u shpreh se rasti konkret përbën jo vetëm një shqetësim të madh publik me ndjeshmëri të lartë, por ai ka tërhequr edhe vëmendjen e aleatëve, në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe agjencive ndërkombëtare ligjzbatuesve, sipas tij, duke ngritur pikëpyetje për seriozitetin e institucioneve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomenit të trafikimit të drogës.

Në njoftim thuhet se të pranishmit referuan dhe diskutuan lidhur me veprimet institucionale dhe koordinimin sa më të mirë të të gjitha agjencive ligjzbatuese në bashkëpunimin edhe me partnerët ndërkombëtarë për të luftuar kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike.

Kujtojmë se shtetasi Klement Balili është shpallur në kërkim nga autoritetet policore shqiptare, pas urdhër-arrestit të lëshuar nga autoritet greke, për akuzën e trafikut të drogës. Prej disa muajsh vazhdojnë operacionet për arrestimin e tij, pasi dyshohet se ndodhet brenda territorit të Shqipërisë.

Aktualitet

Archives