Dr. Zekerija Bajrami, tribunë mbi vlerat dhe kuptimet e Ramazanit

Pasditën e së enjtes, më 28 prill 2016, Myftinia Shkodër dhe Myftinia e Malësisë së Madhe organizuan një tribunë fetare, mbi vlerat dhe kuptimet e Muajit Ramazan, ku i ftuar për të mbajtur ligjëratën e rastit ishte thirrësi islam i afirmuar në mbarë trevat shqiptare, Dr. Zekerija Bajrami.

Aktiviteti nisi me këndimin e një pjese kur’anore nga vëllau i nderuar. Ervin Metani. Më pas, teologu Arben Halluni, prezantoi këtë tubim fetar, duke theksuar se prezenca e të nderuarit Dr. Zekerija Bajrami është një kënaqësi e madhe për të pranishmit e panumërt, që kishin tejmbushur sallën e konferencave pranë Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”.

Aktivitetin e përshëndetën edhe dy myftilerët organizatorë, Imam Muhamed B. Sytari dhe H. Edmir Smajlaj, që theksuan se prej mirësive të All-llahut ndaj kombit shqiptar është edhe ligjërimi i mësimeve dhe udhëzimit islam në gjuhën shqipe. Njëkohësisht u theksua se atmosfera e Muajit Ramazn duhet të angazhojë muslimanët disa muaj para ardhjes së tij, tamam si shembulli i sahabëve të nderuar që përgatiteshin me muaj të tërë për ta pritur Ramazanin.

Me shumë kënaqësi, të pranishmit ndoqën ligjëratën e pasur të thirrësit islam Dr. Zekerija Bajrami, i cili u përqendrua te shpjegimi i kuptimeve të adhurimit, domethënies së agjërimit dhe domosdoshmërisë së respektimit të kufijve të fesë në jetë.

Nëpërmjet ajeteve dhe haditheve, ndodhive aktuale dhe eksperiencave personale, Hoxha i nderuar nga Shkupi vuri theksin te nevojha e madhe që kanë muslimanët sot për të kuptuar thelbin e fesë dhe sinqeritetin me Zotin e tyre, Krijuesin e universit.

Hoxha tha se, falë mëshirës së All-llahut, njeriut i mundësohet të kalojë krejt jetën e tij në adhurime dhe bëmirësi, nëpërmjet të cilave do të fitojë kënaqësinë e Tij në këtë botë dhe në të përtejmen.

Njëkohësisht, ai shprehu kënaqësinë e tij për praninë në Shkodër dhe komunikimin me masën e madhe të pranishëmve, që rrinin edhe jashtë dyerve të sallës së tejmbushur.

Aktualitet