Erdogan, thirrje vendeve myslimane për autokritikë dhe bashkëpunim

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u bëri thirrje sot vendeve myslimane për autokritikë, pasi, sipas tij, vetëm në këtë mënyrë mund të nisë ndryshimi i tablosë pesimiste në hapësirën gjeografike islame.

Në fjalën e mbylljes së Kongresit II Turko-Arab për Arsimin e Lartë, mbajtur në Stamboll mes datave 26-30 prill, Presidenti Erdogan deklaroi se do të kritikojnë të gjithë ata, që kanë interesin të vetmen gjë të shenjtë dhe që prodhojnë probleme artificiale me kufij artificialë, si dhe do të demaskojnë hipokrizitë e atyre, që demokracinë e konsiderojnë luks për popujt e rajonit.

Por, theksoi ai, nuk duhet të harrojmë as autokritikën teksa bëjmë këto.

“Duhet të kritikojmë veten. Do të luftojmë me nepsin dhe lakminë e tepruar. Duhet të marrim veten në pyetje, t’i kërkojmë llogari vetes tonë. Nëse nuk bëjmë autokritikë, s’mund ta ndryshojmë këtë tablo pesimiste”, shtoi Erdogan.

Kreu i shtetit turk u bëri thirrje vendeve islame edhe për bashkëpunim në arsim duke nënvizuar sidomos domosdoshmërinë e përforcimit të bashkëpunimin në të gjitha fazat e arsimit, përfshi këtu edhe arsimin e lartë.

“Ne duhet të mbështesim njëri-tjetrin duke shtuar platformat e bashkëpunimit. Po shikojmë dobi të mëdha nga kontaktet e vazhdueshme të nxënësve, studentëve, OJQ-ve dhe artistëve nga të gjitha shtresat e shoqërisë”, u shpreh ai.

Erdogan kritikoi gjithashtu largimin e trurit drejt vendeve perëndimore.

“Ata u detyruan të emigrojnë në SHBA dhe në Evropë për shkak se iu prenë rrugët në vendet e tyre. Fatkeqësisht, ata që shkuan jashtë shtetit, u kthyen në individë që u vjen turp nga vlerat e tyre. Largimi i trurit rezultoi në dëmin tonë”, tha Presidenti i Republikës së Turqisë.

Aktualitet

Archives