Shqiptarët janë një vlerë e shtuar për BE-në

Shqiptarët janë një vlerë e shtuar për BE-në dhe besojnë te projekti europian dhe një Europë e bashkuar është më e sigurt, tha ministrja shqiptare e Integrimit Europian, Klajda Gjosha në një forum të organizuar nga Akademia Diplomatike e Londrës.

Ministrja shqiptare e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, me ftesë të Akademisë Diplomatike të Londrës, mori pjesë në forumin e organizuar nga kjo akademi, ku prezantoi përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së.

Në një auditor ku merrnin pjesë jo vetëm studentë, por edhe ambasadorë, studiues e diplomatë, Ministrja Gjosha pasqyroi një tablo të të gjitha përpjekjeve që Shqipëria ka bërë dhe po bën për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.

Interesi ishte mjaft i lartë për mbështetjen e qytetarëve në këtë proces, ndërkohë që Britania e Madhe për pak javë zhvillon referendumin nëse do të qëndrojë apo jo brenda unionit. Ministrja Gjosha theksoi se shqiptarët besojnë te projekti europian dhe një Europë e bashkuar është më e sigurt.

Ministrja Gjosha u shpreh se shqiptarët janë populli më proeuropian dhe vërtet shumë prej jush kjo mund t’ju duket paradoksale për t’u thënë në Mbretërinë e Bashkuar, ku do të mbahet një referendum për të qëndruar ose jo brenda Bashkimit Europian vetëm pas dy muajsh.

“Megjithatë jo vetëm si Ministre e Integrimit të Shqipërisë, por edhe si një qytetare e saj, unë besoj vërtet tek projekti europian. Unë besoj se e bashkuar Europa është më e sigurt. Unë besoj tek ëndrra e dikurshme e prindërve të mij”, theksoi Gjosha.

Në prezantimin e saj, Minitrja Gjosha tha se beson tek një Europë pa mure, e cila ofron mundësi jo vetëm për një vend të vogël si Shqipëria. Kjo është Europa që garanton siguri, paqe e prosperitet duke respektuar sovranitetin dhe liritë themelore të secilit prej anëtarëve të saj.

“Sot më shumë se asnjëherë më parë Europa ka lëkundje në ekuilibrin e saj, por sot është pikërisht koha kur Europa, gjithë anëtarët e saj duhet të dëshmojnë se bashkë mund të kapërcehen vështirësitë. Shqipëria, nuk është ende pjesë e Europës së Bashkuar. I duhet ende shumë punë për të arritur standartet e saj. Ne e nisëm këtë rrugëtim 25 vjet më parë, Shqipëria nuk e ndaloi për asnjë çast përpjekjen e saj, duke vijuar me të gjitha hapat në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”, nënvizoi ministrja.

GjoshaNdër të tjera, Ministrja Gjosha u shpreh se vetëm dy vjet më parë, në 2014, Shqipëria mori statusin e vendit kandidat, një hap shumë i madh për vendin. Shënoi kështu mbylljen e një kapitulli dhe hapjen e një tjetri në raport me Bashkimin Europian.

“Sfida që kemi përpara është hapja e negociatave e cila kërkon reforma dhe përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe që na janë lënë nga Komisioni Europian”, tha Gjosha.

“Një reformë shumë e rëndësishme, ajo në drejtësi është sot sfida jonë me e madhe. Ne po përpiqemi ta bëjmë këtë reformë së pari për qytetarët tanë, për t’i dhënë mundësinë atyre të jetojnë në një vend ku të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Me anë të kësaj reformë ne synojmë të forcojmë shtetin e së drejtës, të luftojë më mirë korrupsionin, krimin e organizuar”, tha ministrja gjatë fjalës së saj.

Ministrja Gjosha shprehu bindjen se duke mbajtur lart frymën e bashkëpunimit edhe mbështetja e qytetarëve tanë do të jetë më e madhe, besimi i tyre nuk do të lëkundët. “Një Europë e Bashkuar është gjithmonë një europë më e fuqishme. Sot, jo vetëm Shqipëria, por i gjithë Ballkani Perëndimor, aspiron të jetë pjesë e BE-së. Këto vende janë secili në faza të ndryshme të procesit, por ndërkohë kanë të njëjtën aspiratë për të qenë pjesë e saj jo vetëm gjeografikisht”, shtoi Gjosha.

Shqipëria është sot një vend i vogël por me një rol shumë të madh në stabilitetin rajonal. Shqiptarët kanë një rol historik, të pamohueshëm. Sot, 100 vjet nga shpërthimi këtu në Ballkan, i Luftës së Parë Botërore, si dhe pas 100 vjet luftërash, konflikte të tmerrshme në mes të Europës, janë vitet e para pa asnjë konflikt në Ballkan”, theksoi Ministrja e Integrimit”, shtoi ajo.

Ministrja Gjosha u shpreh se aspirata e përbashkët europiane ka prodhuar një histori suksesi si asnjëherë më parë. “Me procesin e Berlinit sot i gjithë Ballkani Perëndimor shihet me një sy tjetër. Perspektiva e zgjerimit të BE-së është e qartë. I gjithë Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e saj”, tha ajo.

“Me krenari dua të them se kemi çfarë t’i ofrojmë Europës. Ne nuk duam të heqim dorë as të ndryshojmë vlerat tona duke u bërë pjesë e saj. Ne krenohemi sot me tolerancën fetare e cila është modeli dhe shembulli me i mirë pikërisht në këtë moment kur terrorizmi kërcënon kontinentin tonë. Ne jemi një vend ku pjesa më e madhe e popullsisë janë të rinj, optimistë dhe me shpresë se mund të bëjnë më mirë për vendin e tyre dhe për Europën”, tha Gjosha.

Gjatë prezantimit të saj, Ministrja tha se ndoshta kur flitet për shqiptarët, perceptimi është i gabuar. “Ju them me bindje sot, se të rinjtë tanë janë po aq europianë sa të gjithë të rinjtë e vendit tuaj. Janë të rinj të emancipuar, me rezultate të shkëlqyera të cilët besojnë dhe e shohin integrimin e Shqipërisë si progres për demokracinë në vend”, u shpreh Gjosha.

Ne duam që të bëjmë të mundur që një Shqipëri më e fortë të jetë pjesë e një Europe akoma dhe më të fortë nesër. Këtë nuk mund ta bëjmë vetëm! Por për sa na takon ne jemi të vendosur të mos ndalemi!”, tha Ministrja në mbyllje të fjalës së saj.

Aktualitet

Archives