4 civilë vdesin në sulmin ndaj autokolonës humanitare në Halep

Snajperët kriminel shiite të komanduar nga Irani kanë hapur zjarr ndaj autokolonës me autobusë që transportonte të plagosurit e nxjerrë nga Halepi.

Menjëherë pas ngjarjes Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushollu ka biseduar në telefon me homologun iranian Xhevad Zarif.

Pas kësaj bisede autokolona e kthyer prapa për shkak të sulmit ka vazhduar sërish rrugën.

Nga ana tjetër Rusia njoftoi fillimin e evakuimit të 5 mijë opozitarëve dhe familjeve të tyre nga lindja e qytetit.

Më herët Rusia kishte deklaruar se evakuimi nga Halepi do të bëhej me 20 autobusë, të cilët do të shkonin në Idlib dhe gjatë rrugës autokolona do të shoqërohet nga ushtarët rusë.

Moska zyrtare kishte njoftuar se monitorimi i veprimeve të evakuimit do të bëhej me avionë pa pilotë.

Turqia në operacionin e evakuimit merr pjesë me ambulanca të Gjysmëhënës së Kuqe Turke.

Ambulancat presin në gatishmëri në pikën e kalimit kufitar “Cilvegözü”.

Zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kallën në një deklaratë që bëri tha: “I kemi marrë të gjitha masat në Idlib dhe Turqi. Jemi në pritje të vëllezërve nga Halepi”.

Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hysejin Myftyollu (Hüseyin Müftüoğlu) deklaroi se “prioritare për ne është kurimi i të sëmurëve dhe plagosurve në Siri dhe Turqi. Pastaj opozitarët do të sistemohen në kampet që do të ngrihen brenda territorit të Sirisë”.

Gjysmëhëna e kuqe turke vazhdon punimet për ngritjen e një kampi me 10 mijë çadra në qytetin Idlib të Sirisë.

Ndërkohë në një deklaratë të lëshuar nga Kryqi i Kuq thuhet se 10 ambulanca dhe 100 vullnetarë po presin në Halep për të ndihmuar procesin e evakuimit.

Ndërsa Observatori Sirian i të Drejtave të Njeriut konfirmoi që autokolona e parë me të plagosur është nisur nga lagjet lindore të rrethuara të Halepit për në drejtim të pjesës perëndimore të qytetit.

Me ndërmjetësimin e Turqisë të martën rreth orës 19.00 ishte arritur vendosja e një armëpushimi ndërmjet forcave të regjimit të udhëhequra nga Rusia dhe grupeve të armatosura opozitare në Halepin Lindor.

Sipas marrëveshjes së arritur civilët dhe opozitarët e plagosur do të evakuoeshin në mënyrë të sigurt nga Halepi Lindor dhe do të transferoheshin në provincën e Idlibit, që ndodhet në jugperëndim të Halepit dhe që kontrollohet nga opozitarët.

Vetëm se forcat paramilitare shiite të komanduara nga Irani në fazën e pare nuk kishin lejuar nxjerrjen e të plagosurve nga zona konfliktuale dhe të mërkurën në mëngjes nisën të shkelin armëpushimin.

Aktualitet

Archives