Erdogan: Luftë deri në fund kundër terrorizmit, e mbajmë qefinin me vete

Pas sulmit tradhtar të së shtunës ndaj forcave të ndërhyrjes së shpejtë në Stamboll, ku ranë dëshmorë 39 persona, nga të cilët 30 policë, si dhe u plagosën 155 të tjerë, paria e shtetit turk dënoi terrorizmin në mënyrë më të ashpër të mundshme.

Autoritetet turke u dërguan tradhtarëve mesazhin: “Dijeni që ne s’kemi frikë!”

“Ne s’kemi rënë aq poshtë sa të frikësohemi nga këto ndyrësira dhe bushtra që t’i lejojmë të livadhisin”, tha Presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Kreu i shtetit turk iu drejtua popullit duke theksuar se lufta kundër terrorizmit do të vijojë derisa t’i japin fund kësaj belaje.

“Ata sulmuan poshtërsisht dhe pabesisht në të dyja pikat me bomba artizanale duke marrë në shënjestër pjesëtarët e forcave të ndërhyrjes së shpejtë, këta luanë të rinj tanët, që po përgatiteshin të hipnin në autobusët e tyre pasi kishin nxjerrë nga stadiumi me sukses dhe në mënyrë të sigurt të gjithë tifozët pas ndeshjes. Jemi përballë një tabloje, e cila po na gjakos shpirtin. Allahu i mëshiroftë të gjithë dëshmorët tanë, u dhëntë shërim të shpejtë të plagosurve dhe durim familjeve të tyre. Ngushëllime për të gjithë kombin. Ne nuk do të lejojmë që ky atentat të mbetet i pandëshkuar. Ata duhet ta dinë mirë që do të paguajnë një çmim shumë më të rëndë”, u shpreh Presidenti Erdogan.

Lideri turk anuloi vizitën e parashikuar në Kazakistan menjëherë pasi mori lajmin ogurzi dhe vendosi të marrë pjesë në ceremoninë, që u organizua në Drejtorinë e Policisë së Stambollit.

Erdogan gjithashtu vizitoi të plagosurit, që po kurohen në spitale të ndryshme të metropolit më të madh turk.

Ai vuri theksin mbi vendosmërinë e shtetit për të vijuar deri në fund luftën kundër terrorizmit.

“Që kombi dhe populli im të jenë të sigurt, ne do të luftojmë deri në fund kundër këtij mallkimi që është terrorizmi. Për këtë të mos dyshojë askush. Nëse po synojnë që të na trembin me këto akte, atëherë le ta dinë mirë që ne s’kemi rënë aq poshtë sa të frikësohemi nga këto ndyrësira dhe bushtra që t’i lejojmë të livadhisin. Ne i jemi futur kësaj rruge duke e mbajtur qefinin me vete”, siguroi Presidenti Erdogan.

Aktualitet

Archives