Barcelona e Mançester Siti kualifikohen për në turin e dytë në Champions

Emocione të forta në ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve. Mesi ndihmoi Barcelonën, ndërsa ndeshja me e veçantë u luajt në Stamboll


Me Mesin është tjetër histori.

Argjentinasi u kthye në formacion dhe Barcelona u kthye tek fitorja.
Suksesi 2-0 në Skoci ndaj Sëlltikut e kualifikoi skuadrën katalanase si të parën në grup, dhe bëri të ndihej më pak tronditja e gabimit të bërë në kampionatin spanjoll me Malagën.
Mesi realizoi nga një gol për çdo pjesë, dhe arriti në kuotën e 100 rrjetave për “blaugranët” në aktivitetet ndërkombëtare, Champions, Superkupa e Europës dhe Kupa e Botës për klubet.
Numri 10 vazhdon garën me Kristiano Ronaldo, që është rekordmeni I të gjitha kohëve në Ligën e Kampionëve me 95 realizime, ndaj 92 të lojtarit të Barçës.
Kualifikim edhe për Mançester Sitin.
Skuadra e Pep Guardiolës e pati të vështirë në fushën e Borusias së Mynshengladbahut, duke u ndodhur në dizavantazh, por reagoi në kohë.
Golit të Rafaelit iu përgjigj David Silva, në një përballje ku pati nga një karton të kuq për çdo ekip.
Bajerni, ndërkaq, e ka kaluar turin, por është në krizë.
Pësoi humbjen e dytë në 5 ditë, këtë herë në Rusi.
Golat e Dagllas Kostës dhe Bernatit nuk e shpëtuan, pasi vendasit përmbysën shifrat.
Pas Dortmundit në Bundesligë, e mposhti edhe Rostovi, edhe pse duhet thënë se bavarezët patën shumë mungesa.
U ndje ndoshta edhe dimri rus, aktualisht me -6 gradë Celsius, ndërsa me këtë humbje gjermanët nuk mund të pretendojnë për vendin e parë në grup.
Në krye, e sigurt Atletiko që mposhti 2-0 në Madrid, PSV Ajndhovenin.
Pesë ndeshje, pesë fitore për ekipin e trajnerit Simeone, golat e të cilit  u shënuan nga sulmuesit Gameiro e Grizman.
Barazim me emocione në Londër.
Arsenal-Paris SG 2-2, rezultat që nxjerr në vend të parë francezët, edhe pse pikët janë të barabarta.
Kavani dhe Zhiru shënuan në pjesën e parë, ndërsa dy autogola përcaktuan shifrat pas pushimit.
Në këtë grup, u luajt edhe ndeshja Ludogorec-Bazel, ku për miqtë ishte në fushë lojtari i kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka.
Krejt e veçantë sfida e Stambollit.
Beshiktashi realizoi ndaj Benfikës një përmbysje njëlloj si ajo e Liverpulit kundër Milanit në finalen e Championsit luajtur në të njëjtin qytet, 11 vjet më parë.
Portugezët kryesuan 3-0, ku sidomos veçohet goli I tretë shënuar pasi u goditën tri herë shtyllat e portës turke.
Një veprim I rallë I Xhenk Tosunit ktheu në lojë Beshiktashin, që barazoi në minutat e fundit.
Rikardo Kuareshma me penallti dhe Abubakar ishin realizuesit.
Një tjetër lojtar i kombëtares ishte në fushë në Champions, Elseid Hysaj, që nuk u kualifikua dot me Napolin.
Ndaj Dinamos së Kievit në “San Paolo” përfundoi pa gola, dhe napolitanët rrezikojnë eleminimin.

Aktualitet

Archives