Kuvend-Balla: Kemi hapur arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit

TIRANË, 3 Nëntor/ATSH/.- Kuvendi i Shqipërisë mbajti sot një minutë heshtje në nderim të 38 martirëve të Kishës Katolike, viktima te krimeve dhe persekutimeve te regjimit komunist.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, në prag të Lumturimit të klerikeve martire nga Vatikani më 5 nëntor, propozoi mbajtjen e një minutë heshtje në kujtim të tyre.

Topalli e konsiderori “një ngjarje të padëgjuar” Lumturimin nga Selia e Shenjtë të 38 martirëve. “Persekutimet e mëdha të regjimit komunist kundër klerit katolik të lënë pa frymë dhe kanë qënë ndër më të egrat dhe të pashpirtat”, tha ajo. Më pas, Topalli lexoi emrat e klerikëve të persekutuar, që presin të Lumturohen më 5 nëntor nga Selia e Shenjte.

Në reagimin e tij, nënkryetari i grupit socialist, Taulant Balla, i kërkoi opozitës që ngjarje të tilla të mos i përdorë për qëllime politike. Kuvendi ka sot në axhendë miratimin e një rezolute që dënon krimet e komunizmit ndaj klerit katolik, tha ai. Është koha të bëjmë dallimin e qartë mes atyre që qajnë me lot krokodili dhe atyre që bëjnë punë konkrete, nenvizoi ai.

Për tre vite të qeverisjes sonë, ne e kemi treguar me vepra distancimin nga e kaluara komuniste. Dhe për këtë qëllim ndërmorëm dhe një rishikim të plotë të skemës së dëmshpërblimit për gjithë kategorine e te perndjekurve. Kaloi koha, tha ai, kur ata perdoreshin si mish për top, per te fituar vota ne zgjedhje.

Në këtë kuader, qeveria ka hapur tashmë arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës së diktaturës dhe së shpejti do të nise dhe ngritja e strukturës qe do te merret me trajtimin e ish-arkivave te Sigurimit. . Pas miratimit të ligjit ”Për hapjen e dosjeve”, fillimi i programit për gjetjen e personave të zhdukur është ndër hapat më të rëndësishëm për shkëputjen nga koha e komunizmit. Gjithashtu, ne kemi ngritur institutin për Integrimin e të Përndjekurve Politikë”, u shpreh Balla.

Ka ikur koha kur të përndjekurit përdoreshin mish për top për të fituar vota në zgjedhje. Të përndjekurit tani ndoshta janë habitur, për mirë, që PS, LSI dhe PDIU kanë ndërmarrë hapin e parë për dëmshpërblimin e tyre. Ju nuk bëtë asgjë për përballjen me diktaturën e egër, duke hapur arkivat e ish-sigurimit të shtetit. Kishit meraqe personale? I njohin shqiptarët sekretarin e partisë, “Dajren”, “Çiftelinë”, e të tjerë”, ka thënë Balla.

Në seancën e sotme është parashikuar dhe votimi i një rezolute që dënon krimet e regjimit komunist kundër klerit katolik ne Shqiperi.

Rendi i dites

Kuvendi ka nisur punimet e séancës plenare të së enjtes, ku mes te tjerash pritet të votohen tre pr/ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar, 84 vota.

Pr/ligji “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë”, pjesë e paketës prej 7 ligjesh për zbatimin e reformës kushtetuese, bashkë me ndryshimet në Kodin Civil dhe Kodin e Procedurës Civile, të mbartura për votim nga seancat parardhese, jane draftet, votimi i të cilave do jetë një provë per mazhorancën sot në Kuvend, nëse do arrijë të sigurojë kuorumin e nevojshëm.

Në nisje të séances, drejtuesja Valentina Leskaj njoftoi përfshirjen me konsensus në punimet e sotme të Kuvendit të pr/rezolutës “Për dënimin e krimeve te komunizmit ndaj klerit, si dhe mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e klerikëve në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, e propozuar nga Partia Demokratike e opozitës.

Gjithashtu, Kuvendi pritet të zgjedhë sot dhe kryetarin e ri të KQZ-së. Seances i janë percjellë për votim nga Komisioni i Ligjeve dy kandidatura, Denar Biba, aktualisht nënkryetar i KQZ-se dhe Koli Bele.
Në axhende po ashtu janë parashikuar për shqyrtim edhe disa ndryshime në ligjin “Për sigurimet shoqërore” dhe në ligjin “Për Procedurat Tatimore”…

Aktualitet

Archives