“Plehrat”, Rama: Zhurmë e orkestruar për përfitime politike

Kryeministri Edi Rama, e cilëson si zhurmë të orkestruar, reagimet dhe protestën kundër miratimit të bërë mbrëmjen e djeshme në Kuvend, të ligjit për importin e mbetjeve.

Ai thotë se zhurma e orkestruar e atyre që duan të nxjerrin përfitime politike duke trembur njerëzit dhe e atyre që nuk duan të dëgjojnë po vetëm të flasin, është edhe këtë herë një thikë e cila u ngulet pabesisht në tru njerëzve që për shkak të tmerreve e poshtërsive që kanë parë apo pësuar në të shkuarën, e dëgjojnë këtë kor zhurmaxhinjsh profesionistë.

Në një postim të bërë në profilin e tij në Facebook, ai thotë se ligji i votuar mbrëmë nuk ka asnjë lidhje me ‘plehrat ogurzeza’, po është vetëm një hap i natyrshëm dhe i domosdoshëm për të normalizuar situatën ligjore në lidhje me riciklimin e mbetjeve të listës së gjelbër të Bashkimit Europian dhe për të fuqizuar industrinë e lehtë të riciklimit me qëllim rritjen e përpunimit edhe të mbetjeve të vendit.

“Dëgjojeni mirë: Falimentimi i kësaj industrie sot, do të thoshte një Shqipëri më e ndotur nesër! Jo më kot e gjithë pjesa e shëndoshë e specialistëve të mjedisit dhe e ambientalistëve që pasion ka mjedisin jo protestat pa arsye, kanë dhënë kontribut në hartimin e ligjit dhe e mbështesin atë”, shkruan Rama.

Ai shton se të tjerat janë broçkullat e radhës që dalin nga kazani i politikës së ulët të interesave të atyre që donin të digjnin në Shqipëri, plehrat e importit.

Bashkëngjitur shkrimit ai ka publikuar edhe një fotografi, ku tregon se të vetmit artikuj që lejohen të importohen për riciklim janë letër, plastikë, alumin dhe mbetje druri dhe që kanë impakt zero në mjedis.

Gjithashtu sqaron se bëhet fjalë për artikuj të listës së gjelbër të Bashkimit Europian, të cilat importohen dhe eksportohen kudo në rajon e BE.

Aktualitet

Archives