Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 88 vota ligjin për Vetingun

Parlamenti miratoi dje pasdite në një seancë të jashtëzakonshme projektligjin për Vetingun, një nga draftet më të rëndësishme që shoqërojnë paketën e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi. Drafti mori 88 vota nga 84 që ishin të mjaftueshme si dhe 1 votë abstenim të deputetit Vangjel Dule. Ndërsa deputetët e opozitës u larguan nga salla para se të niste proçesi i votimit.

Shtrëngimi i duarve mes Edi Ramës dhe Ilir Metës ishte sinjali i rradhës për demokratët se këtë herë nuk e kishin mbështetjen e LSI-së.
Skenarët i kishte të qarta Sali Berisha, që akuzoi direkt Kryeministrin se me ligjin e Vetingut po realizon atë që nuk mundi të bënte me ndryshimet kushtetuese.
Pas tij doli Edi Rama që i mëshoi idesë së përsëritur prej kohësh, sipas së cilës opozita nuk e do reformën në drejtësi.
Ilir Meta bëri një përjashtim dhe zbriti në foltore, ku foli edhe në emër të grupit parlamentar të LSI-së. Kryetari i Kuvendit shpjegoi përse këtë herë nuk insiston për konsensus, ndryshe nga sa bëri për ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi.
Një nga pretendimet e opozitës është se me këtë ligj, kontrolli i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk do të bëhet nga organet e ngritura rishtaz, por nga ato ekzistueset, sic është rasti i ILDKP-së, krerët e të cilëve caktohen nga Kryeministri. Pikërisht ILDKP-në zgjodhi si shembull edhe Ilir Meta, për t’i thënë PD-së se argumentet e saj nuk e bindnin.
Përmes Eduart Halimit, demokratët përsëritën se ligji i Vetingut është antikushtetues dhe u larguan nga salla e Parlamentit pa pritur votimin.
Nga Partia Socialiste replikoi me ta Pandeli Majko, që është edhe relatori i ligjit të Vetingut.
I cilësuar si themeli i reformës në drejtësi, ligji i Vetingut, u miratua me 88 vota pro të mazhorancës, mes të cilave ishte edhe ajo e Armando Prengës, deputetit socialist të vetëpezulluar të përfshirë në një proces penal për plagosje me armë. Mungesa e demokratëve dhe republikanëve i dhuroi ligjit kalimin pa asnjë votë kundër, ndërsa i vetmi abstenim erdhi nga Vangjel Dule i PBDNJ-së.

Aktualitet

Archives