Shqiperi – Marok ne Shkoder, policia zbardh planin e masave

Kur na ndajnë pak orë nga sfida që do të shënojë inagurimin e stadiumit të ri “Loro Boriçi”, ajo mes kombëtares Shqiptare dhe Marokut, policia ka zbardhur planin e masave për garantimin e mbarëvajtjes së ndeshjes. Tifozeria që do të ndjekë ndeshjen në stadium duhet të jetë e pajisur me bileta dhe dokumenta identifikimi, ndërsa nuk do të lejohen sendet e forta. Gjithashtu me 31 gusht bizneset që ushtrojnë aktivitetin përreth stadiumit, nga ora 15.00 do të duhet të mbyllin aktivitetin e tyre. Gjithashtu një pjesë e segmenteve rrugore do të bllokohen për levizjen apo parkimin e automjeteve dhe të tjera do të kenë kufizim levizjeje. Kështu nga ora 15.00 deri në orën 24.00 e dates 31 gusht rrugët që do të bllokohen për lëvizje dhe parkim janë bulevardi “Zogu i Parë”, sheshi Parrucë deri tek “Ish 5-Heronjtë”, rruga “Bujar Bishanaku”, nga Teatri deri në Kiras së bashku me degëzimet, dhe rruga “Zyhdi Repishti” e njohur ndryshe si ish poligoni i qitjes. Ndërsa kufizim të lëvizjes në orët e pasdites deri në përfundim të ndeshjes do të ketë në segmentet: “Xhabije – Parrucë”, “Sheshi 2 Prilli – Parrucë”, “Kryqëzimi i ish degës – Ish 5-Heronjtë”, “Kryqëzimi i Rusit – Ish 5-Heronjtë”. Aktiviteti sportiv është parashikuar të fillojë në orën 20.30 dhe hyrja e tifozerisë, me qëllim shmangien e konfuzionit, do të nisë nga ora 18.00. policia e Shkodres kërkon mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave si dhe paisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të, sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi në hyrje do të kontrollohen fizikisht të gjithë.

Aktualitet