Zeman: Emigrantët myslimanë s’duhet të pranohen në Çeki dhe Evropë

Presidenti i Republikës Çeke, Milos Zeman, deklaroi të mërkurën se emigrantët myslimanë nuk duhet të pranohen në vendin e tij dhe në Evropë…

Presidenti i Republikës Çeke, Milos Zeman, deklaroi të mërkurën se emigrantët myslimanë nuk duhet të pranohen në vendin e tij dhe në Evropë.

Siç bën të ditur agjencia hungareze e lajmeve “MTI”, Milos Zeman pretendoi në një dalje publike se kohëve të fundit edhe në Evropë ka emigracion, por kjo nuk ka shkaktuar ndonjë problem duke qenë se realizohet brenda kontinentit.

“Në dallim nga evropianët, refugjatët myslimanë, të cilët mbërrijnë në Evropë, vijnë nga kultura të ndryshme. Prandaj jam skeptik në lidhje me mundësinë e integrimit të tyre në shoqëritë evropiane”, u shpreh Zeman.

Kreu i shtetit çek mbrojti idenë se valët e fundit të emigracionit drejt Evropës do të shkaktojnë probleme të rënda.

“Emigrantët myslimanë nuk duhet të pranohen në Republikën Çeke dhe në Evropë”, shto ai.

Pasi theksoi se gjendja e sigurisë në Evropë është përkeqësuar më shumë në krahasim me vitin e kaluar për shkak të aktiviteteve të organizatës terroriste DAESH, Milos Zeman nënvizoi se NATO-ja duhet të veprojë kundër DAESH-it.

Ndërsa Kryeministri çek, Bohuslav Sobotka, deklaroi pak ditë më parë, në një prononcim për gazetën “Pravo”, se nuk duan një komunitet mysliman të fuqishëm në vendin e tyre.

Bohuslav Sobotka përsëriti dhe një tjetër herë se Grupi i Vishegradit (V4 – Çeki, Poloni, Hungari dhe Sllovaki) është kundër sistemit të kuotave të detyruara për refugjatët.

Kryeministri Sobotka theksoi se çdo shtet duhet të vendosë vetë për numrin e refugjatëve, që do të pranojë.

Shefi i Pragës zyrtare vuri në pah se qeveritë kombëtare kanë për detyrë të garantojnë jetën e qytetarëve të tyre dhe shtoi: “Ne s’kemi një komunitet mysliman të fuqishëm dhe për të qenë i sinqertë, ne nuk duam themelimin e një komuniteti mysliman të fortë këtu.”

Ditët e para të krizës së refugjatëve, qeveria çeke kishte njoftuar se në vend të myslimanëve do të pranonte vetëm refugjatë të krishterë.

Çekia ka rreth 10,5 milionë banorë në total dhe vetëm pak më shumë se 19 mijë prej tyre janë myslimanë. TRT

Aktualitet

Archives