Margarita në sheshxhirim, plot plagë

“Djali dhe Deti”, filmi që shqetëson mbi raportet sociale të një shoqërie rikthen në sheshxhirim aktoren Margarita Xhepa, e vlerësuar shumë për rolet e saj në kinemanë shqiptare, këtë herë do të vijë në rolin e gjyshes. Me këtë rol, sipas skenaristes, Margarita nxjerr në pah moshën e tretë të përkushtuar dhe të dashur, gruan shqiptare me merakun dhe mallin, me dhembjen dhe kujdesin; filmi nis xhirimet më 1 shtator, në zonën më tërheqëse bregdetare në Zvërnec

Filmi artistik “Djali dhe Deti”, i cili pritet t’i fillojë xhirimet së shpejti, është një dramë që prek një plagë të shoqërisë, ikjen masive dhe lënien pas edhe të gjërave më të shenjta. Filmi artistik me metrazh të gjatë vjen me regji nga Ergys Peqini me skenar të Linda Hoxha Fejzaj, të cilët rikthejnë në sheshxhirim aktoren legjendë, Margarita Xhepën.

Për idenë e skenarit Fejzaj ka treguar nxitjen: “Ёshtё njё skenar i planifikuar shumё kohё mё parё, ideja ka nisur vite mё parё, pikërisht nё atё kohё kur preka atё vend tё vogёl por qё mrekullonte. Njё pikё jo shumё larg qytetit tё Vlorёs, Zvёrneci, ku deti, ishulli dhe laguna krijojnё njё mrekulli hyjnore. Ёshtё njё zonё e bekuar nga Zoti, por e harruar nga dora e njeriut apo pushtetit nё kёto 25 vite”.

Fejzaj ka treguar më tej se në terrenin ku ajo ka shkelur ka vënë re mungesën e fëmijëve si banorë, dhe rrënimin e shkollës në vendin ku ajo ka ekzistuar dikur. Ngjarjet duket sikur përsërisin historinë, fëmijët marrin në këmbë me kilometra në një fshat tjetër për t’u arsimuar.

“E dhimbshme kjo pёr çdo kënd qё mund tё ketë pak shpirt. Shqipëria ka vende tё bukura, ka ngjarje sa tё bukura sa edhe tё dhimbshme, ndaj kemi mundёsinё qё subjektet kinematografike tё jenë produkt i yni bio e jo tё huazuar nga jashtë. Sё paku unё si shkrimtare dhe skenariste e shoh me vend ta them”, tha tutje Linda.

Filmi “Djali dhe Deti”, ështё njё dramё, dhe si shumё drama edhe kjo ngrihet mbi tё vёrtetat e realitetit shqiptar.

Në qendër të filmit është Niko, djali 12-vjeçar që i duhet të shkojë në shkollë në një fshat tjetër.

Prindërit e tij janë larguar prej vitesh drejt Evropës, si emigrantë, por në pamundësi për t’u rikthyer për shkak të mungesës së lejeqëndrimit.

Në këto kushte, Niko i vogël i bëhet krahë gjyshes, që qindarkat e pensionit nuk i dalin për të nxjerrë muajin me bukë, ndaj detyrohet të bëjë punë të vështirë qysh në vogëli, me të cilin mbahet thuajse e gjithë zona aty, me peshkimin.

Niko i vogël ndihmohet nga bashkëfshatarët e tij, se si duhet të punojë por dhe të tregohet i kujdesshëm.

“Kjo dramë e ngritur mbi të vërteta në kohë të vërtetash, dhemb më shumë për faktin sepse shumë jetë janë lënë nё det të hapur, siç ndodh me personazhin tonë ku malli për prindërit dhe përgjegjshmëria e nisin drejt së panjohurës duke mbajtur mbi supe më shumë nga ç’mban për moshën e tij…”, ka treguar më tej skenaristja për mediat.

Ky film, të paktën deri tani, ka konfirmuar edhe rikthimin në sheshxhirim të aktores legjendë të ekranit, Margarita Xhepën.

E vlerësuar shumë për rolet e saj në kinemanë shqiptare, këtë herë do të vijë në rolin e gjyshes.

Me këtë rol, sipas skenaristes, Margarita nxjerr në pah moshën e tretë të përkushtuar dhe të dashur, gruan shqiptare me merakun dhe mallin, me dhembjen dhe kujdesin.

“Nё fakt ju pohoj, atё qё i kam thёnё edhe aktores sё madhe. Ky rol ёshtё bёrё enkas pёr tё, pёr faktin se ndërsa ndërtoja skenarin nё tryezё, nё çdo sekondë kam pasur parasysh pikёrisht atё, mёnyrёn si flet, si lёviz, gjё qё shkon nё përshtatje edhe me zonёn ku ndodh ngjarja. E bukura ishte se nё momentin qё producenti i ThG –Production, Thanas Gega mori skenarin dhe e lexoi, mё komunikoi se përzgjedhja e tij pёr kёtё rol do tё ishte Margarita, nga e cila mora jo vetёm komplimentin por dhe kёnaqёsinё qё i dha skenari qё do tё luajë, sepse e dëshironte dhe e ndiente dramёn dhe ndihej brenda saj qё nё leximin e parё”.

Sipas skenaristes, Linda Hoxha Fejzaj, mё 20 gusht mblidhet stafi dhe xhirimet nisin mё 1 shtator, kjo pёr shkak tё kohёs sepse korriku dhe gushti janё jo vetёm muaj shumё tё nxehtё, por vendi ku do tё xhirohet filmi ёshtё pikёrisht ajo zonё qё sot vёrshojnё pushues, gjё qё bёri tё fillojnё nё shtator edhe pse aktorёt tashmё kanё marrë skenarin.

Ndërsa sa i përket pjesës tjetër të aktorëve kjo gjë preferohet të mbetet enigmë.

Filmi do tё xhirohet nё Zvёrnec, njё zonё e bukur jo shumё larg qytetit tё Vlorёs.

Në film janë dhe të tjerë aktorë, të cilët bashkë do të ndërtojnë historinë e këtij filmi.

“Ky film do flasë shqip, shqip, me gjuhё shpirti. Ёshtё gati gjithçka dhe presim 1 shtatorin tё fillojmё”, tha krejt për fund skenaristja Linda Hoxha Fejza.

Aktualitet

Archives