Në Tiranë mbyllet spitali COVID2,

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nga Spitalin Universitar ‘Shefqet Ndroqi’ ka deklaruar se prej ditës së sotme ky spital do t’i rikthehet normalitetit, duke mbyllur shërbimin për trajtimin e pacientëve të prekur nga COVID-19.

“Nga sot spitali “Shefqet Ndroqi” do t’i rikthehet funksionit të tij normal, pra duke ju dedikuar pacientëve që kanë patologjitë që trajton ky spital, duke filluar nga ato pulmonare deri tek shërbimi i kirurgjisë, hemodinamikës dhe shërbimet e tjera”, tha Manastirliu.

Duke u shprehur se spitali “Shefqet Ndroqi” i konsideruar si spitali COVID2, ka trajtuar mbi 60 pacientë, ministrja Manastirliu ka falenderuar stafin e këtij spitali për punën dhe angazhimin gjatë situatës së vështirë të epidemisë.

“Prej datës 28 mars, spitali u përfshi në skenarin për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe deri sot puna nuk ka ndalur në spitalin tuaj për të trajtuar pacientët me COVID-19. Janë rreth 60 pacientë që janë trajtuar në këtë spital dhe unë dua t’iu falenderoj për gjithë angazhimin, punën e mjekëve infermierëve, të gjithë stafeve mjekësore dhe një falenderim të veçantë për shërbimin e reanimacionit, që ka trajtuar pacientë të sëmurë rëndë dhe sigurisht me dedikim edhe sakrificë maksimale, me profesionalizëm ja ka dalë për të përballuar këtë sëmundje, që për të thënë të vërtetën, ishte e vështirë”,- tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë lajmëroi edhe rifillimin e ndërhyrjeve të planifikuara nga dita e sotme.

“Në strategjinë e rihapjes, edhe sistemi shëndetësor po kthehet gradualisht në normalitet. Nga sot rifillojnë konsultat e specializuara, por mbi të gjitha ndërhyrjet e planifikuara të kirurgjisë, i rikthehet normalitetit”,- tha Manastirliu.

Duke folur për fazën e rihapjes, Manastirliu theksoi se situata do të monitorohet dhe vlerësohet në baza ditore dhe 14 ditore.

“Nga dita e sotme janë hequr të gjitha kufizimet përsa i përket autorizimeve në lëvizje, qoftë për këmbësorët, qoftë për automjetet. Gjithashtu është rritur fasha e lëvizjes në zonat e kuqe deri në orën 21:00 të mbrëmjes dhe përsa i përket zonave të gjelbra është hequr fasha orare që kufizonte lëvizjen. Sigurisht që kjo bëhet në kuadër të një strategjie ri-hapjeje dhe praktikisht po ecim sipas këtij plani, duke bërë një vlerësim të situatës epidemiologjike, duke parë dhe duke vlerësuar rastet që kemi të shtruara në spital dhe gjithashtu edhe rastet e rënda, në terapi intensive. Deri më tani situata është nën kontroll por do të monitorohet në vijimësi”,- tha Manastirliu.

Plani i masave lehtësuese që ka nisur nga dita e sotme parashikon heqjen e kufizimit të lëvizjes në zonat e gjelbra, ku është shtuar edhe qarku i Fierit. Fasha orare e lëvizjes në zonat e kuqe zgjatet deri në orën 21:00 për lëvizjen dhe aktivitetet e biznesit. Nga sot, hiqen të gjitha autorizimet për lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve gjatë javës. Nis zhvillimi i procesit mësimor për maturantët. Hapen muzetë, bibliotekat, arkivat, etj. Lejohen stërvitjet e sportistëve në ambiente të hapura si dhe janë hapur bare/ restorante vetëm në ambiente të hapura. 

Aktualitet

Archives