250 punonjës policie me grada të larta në sitën e Vetingut, Hodaj: Brenda qershorit 2020 mbyllet faza e parë

Pas Vetingut në sistemin e Drejtësisë, tashmë nis dhe Vetingu në policinë e Shtetit, i cili synon kontrollin e figurës së punonjësit të policisë së Shtetit, për një trupë policore me integritet.

Zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se janë rreth 250 punonjës policie me grada të larta të cilët do të kalojnë të parët sitën e Vetingut. Zv.ministri Hodaj theksoi gjithashtu se faza e parë do të zgjasë  deri në qershorin e ardhshëm.

“Ka filluar faza e parë që është ajo e vlerësimit të rreth 250 punonjësve me grada dhe funksione të larta në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe SHÇBA. Në këtë moment Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, i asistuar edhe nga Sekretariati Teknik përkatës po mbledh dhe përpunon informacionet nga institucionet publike dhe subjektet private për të bërë edhe ballafaqimin dhe verifikimin me çfarë është deklaruar ne deklaratat individuale”, bëri të ditur Hodaj.

Sipas tij procesi do të jetë transparent. “Është një procedurë transparente! Informacionet mblidhen nga të gjitha institucionet publike dhe subjektet private. Hartohen raporte specifike për secilin nga komponentët, pra integritet, pasuri dhe profesionalizëm, vihen në dispozicion në punonjësit në vlerësim që mund të japë shpjegime të mëtejshme, të bëjë observime apo të paraqesë kundërshtime dhe në fund diskutohen në një seancë dëgjimore të hapur për mediat dhe publikun. Deri në qershorin e ardhshëm pritet që të ketë përfunduar proçesi për punonjësit e parë, ndërsa më pas për gradat më të ulëta”, tha Hodaj.

“Njësoj si me komisionin e vetingut për sistemin e drejtësisë, edhe vetingu i policisë do të jetë i hapur për median dhe publikun. Plotësimi i vendeve për punonjësit e policisë që nuk do të kalojnë vetingun do të bëhet nga të diplomuarit e akademisë së sigurisë”, tha Hodaj.

“Ajo që kemi thënë gjithmonë, që ky proces të jetë një mjet vlerësimi dhe certifikimi për të gjithë ata punonjës të ndershëm, të aftë dhe të përkushtuar”, nënvizoi Hodaj për ATSH.

Sakaq, sipas planifikimit dhe ligjit për Vettingun në Policinë e Shtetit, të parët që do të kontrollohen janë 31 drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, 12 punonjës në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave si dhe dy punonjës të Gardës së Republikës.  Vlerësimi në fazën e parë do të bëhet nga një Komisionit i jashtëm i përbërë prej 15 personash, që do të ndahen në tre grupe, ndërsa fazat përfundimtare, ajo e dytë dhe e tretë do të bëhen nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave.

Aktualitet

Archives