Një shpërthim i fuqishëm në Manchester Arena në përfundim të koncertit të këngëtares amerikane Ariana Grande, shkaktoi viktima e të plagosur. Konfirmohen 22 të vdekur dhe 59 të plagosur.
Shpërthimi u shënua në zonën e biletarisë, pak para mesnatës së lënë pas. Shërbimet sekrete dhe policia angleze po hetojnë në pistën e terrorizmit. Dyshohet se atentatori u vetëvra në sulm.
Manchester Arena është arena më e madhe në Europë me një kapacitet prej mbi 21 mijë personash. Në momentin e shpërthimit ishte mbushur plot me të rinj e të reja për koncertin e këngëtares së njohur Ariana Grande.
Kryeministrja britanike Theresa May shpërndau një mesazh ngushëllimi dhe solidariteti me familjet e viktimave, duke e cilësuar atë çfarë ndodhi “një sulm të tmerrshëm terrorist”.
Partia konservatore e Kryeministres May, lajmëroi ndërprerjen e fushatës elektorale gjatë së martës. Ndërkohë u thirr në mbledhje urgjente Këshilli i Ministrave dhe Komiteti i Emergjencës.
Pas shpërthimit tragjik, këngëtarja Arianna Grande shkroi disa fjalë në Twitter, “E shkatërruar, nuk kam fjalë! Jam e shkatërruar nga thellësia e zemrës sime”.