22 553 qytetarë kanë aplikuar në “e-Albania” për të marrë lejedalje

Fortuzi/ 22 553 qytetarë kanë bërë aplikimin në “e-Albania” për të marrë lejen e daljes për të realizuar pazarin, në kuadër të masave të marra nga qeveria për të minimizuar përhapjen e COVID-19.

Drejtoresha e Agjencisë  Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karcanaj, ka bërë të ditur të dielën, se aplikantët kanë marrë miratimin e lejes menjëherë. Dalja do të realizohet brenda orarit të lejuar 05:00-13:00, duke nisur nga e hëna dhe leja është e vlefshme vetëm për një orë.

“Deri tani 22 mijë e 553 qytetarë kanë bërë aplikimin në ‘e-Albania’ dhe kanë marrë menjëherë miratimin e lejes për dalje nga dita e hënë. Kjo shifër tregon besimin e qytetarëve te teknologjia dhe tek ‘e-Albania’, që tashmë është familjar për këdo”, – theksoi Karcanaj.

“Përtej mërzisë, acarimeve të momentit, tërësisht të kuptueshme në kushtet e izolimit, qytetarët kanë treguar një maturi dhe sjellje për t’u admiruar. Me durim, minutë pas minute, ata po ndjekin procedurën e thjeshtë të marrjes së lejedaljes, në ‘e-Albania’! Kjo sjellje do na shpërblehet në ditët dhe javët në vazhdim me më pak të dala dhe me më shumë jetë të mbrojtura”, – theksoi drejtoresha e AKSHI-t, Karcanaj.

Qeveria në kuadër të masave të marra për mospërhapjen e pandemisë COVID-19, ka ndaluar daljen nga banesat të pensionistëve dhe përmes aplikimit online ose me SMS, do ketë lejedalje vetëm një person nga familja për nevojat urgjente, si blerja e ushqimeve dhe medikamenteve. ATA

Aktualitet

Archives