21 vjet pas masakrës në Srebrenicë

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në qytetin e Srebrenicës, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Në ditët që pasuan, ata vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Ekzekutimet ishin mirë të planifikuara dhe ushtria serbe ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të fshehur gjurmët. Ndërsa vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i tyre vazhdon ende.

Sot, kur edhe shënohet 21-vjetori i masakrës, në qendrën përkujtimore Potoçari në Bosnjë do të varrosen mbetjet e 127 viktimave, të identifikuara kohët e fundit.

Masakra, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si mizoria më e keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në vitin 2004, gjykata e Kombeve të Bashkuara që ka trajtuar krimet në ish-Jugosllavi, i ka emërtuar vrasjet në Srebrenicë si genocid.

Ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, është dënuar në muajin mars me 40 vjet burg për krime lufte në Srebrenicë, ndërsa ish-udhëheqësi ushtarak, Ratko Mlladiç, është ende në gjyq në Hagë.

Aktualitet

Archives