1519 inspektime nga ISHSH në 24 orë, 9 masa administrative dhe pezullime për shkeljen e masave ndaj COVID-19

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka intensifikuar kontrollet në terren dhe vetëm në 24 orët e fundit janë kryer 1519 inspektime në të gjitha qarqet e vendit.

Nga inspektimet janë marrë 9 masa administrative prej të cilave 3 vendime të ndërmjetme për pezullim të aktivitetit në fasoneri dhe pikë karburanti dhe janë vendosur 6 masa administrative me gjobë në bar-kafe, restorante, argjendari. Gjobat janë vendosur në vlerën 100 000 lekë për çdo subjekt të gjetur në shkelje të protokolleve të sigurisë të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë për mbrojtjen nga COVID-19.

ISHSH ka informuar se masat administrative janë vendosur nga degët rajonale të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në qarqet Durrës, Shkodër, Vlorë, Tiranë.

“Mbi 88 mijë subjekte janë kontrolluar dhe monitoruar në të gjithë vendin gjatë periudhës së epidemisë për masat ndaj COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kërkon nga qytetarët zbatimin e masave të distancimit sociale, higjienës personale dhe përdorimin e maskave në vendet e mbyllura të rekomanduara. Gjithashtu ju kërkon institucioneve dhe bizneseve të zbatojnë në mënyrë strikte protokollet e sigurisë.

Ndërkohë inspektimet nga inspektorët shëndetësore do të vijojnë punën në terren për ndërgjegjësimin e subjekteve për zbatim të protokolleve të sigurisë me zero tolerancë në bare, restorante, subjekte tregtare, institucione publike etj, me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit COVID-19 dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve”, raporton ISHSH.

ATA

Aktualitet

Archives