Mediat greke: Kotzias ra në kurthin shqiptar

Pikë e përbashkët e shumicës së reportazheve të mediave greke që kanë ndjekur me interes vizitën e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Koztias në Tiranë, ishte “harta e rrugës” për të cilën ai ra dakord me homologun shqiptar Bushati, në një takim konstruktiv sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, për zgjidhjen e atyre problemeve për të cilat ka pozicionime të ndryshme nga Athina e Tirana.

Por, njëkohësisht nënvizohet fjala “rrethimi i protestuesve çamë para ministrisë”, përshkruhet dalja e ministrit Bushati për të biseduar me ta dhe sqarohet se udhëheqësi i protestuesve, Shpëtimi Idrizi është njëkohësisht zv/kryetar i parlamentit shqiptar.

“Kathimerini” bën edhe një kronologji të protestave shqiptare për çështjen çame që kanë minuar vizitat e zyrtarëve grekë në Shqipëri si ajo e presidentit Papulias në nëntor të 2005, e paraardhësit të tij Stefanopoulos në 2004-n dhe e kryeministrit Mitsotakis në 1991.

Nga ana e saj, gazeta “Ethnos” i kushton vëmendje të veçantë deklaratave të Kotzias sipas të cilit Greqia beson se me deklaratën e Këshillit të Ministrave të 1987 nuk ndodhet në gjendje lufte me Shqipërinë, si dhe atyre ku sqaron se Athina nuk vendos barazinë midis çameve bashkëpunëtorë me nazistët dhe familjarëve të tyre, që tashmë jetojnë në Shqipëri.

Ndërsa konservatorja, Eleftheros Tipos kritikon ministrin grek që ka shkuar i papërgatitur në këtë takim dhe që iu ka dhënë mundësinë shqiptarëve të shfaqin zyrtarisht pretendimet e tyre ndaj Greqisë për çështjen çame, në një moment kur ata vlerësojnë se mund të ushtrojnë presion tek Athina.

“Harta e rrugës të cilën Kotzias e ka përdorur edhe për Shkupin është një taktikë e dështuar”, thekson gazeta që rikujton faktin se klima në Shqipëri ka qenë e minuar prej deklaratave të kryeministrit shqiptar dhe ministrit të Jashtëm disa ditë më parë.TCH

Aktualitet

Archives