Ndahet nga jeta gazetari i njohur, Ramadan Bigza

Ndërkohë që ne e prisnin në Shkodër për të folur në studiot tona televizive për sportin shkodran, por edhe për Europianin 2016, nga Greqia na vjen ai lajm tejet tronditës për ndarjen nga jeta të kolegut, shokut dhe mikut tonë të kahershëm, Ramadan Bigza. Pak pasi kishte lënë banesen e tij në Athinë, teksa ecte në këmbë për të shkuar në një aktivitet të Ambasadës Shqiptare në Athinë, goditja fatale e një infakti e ka rrëzuar në tokë pasditen e së shtunës së 28 majit. Rrugës për në spital Dani, siç e thërrisnim të gjithë ka ndërruar jetë në moshën 64 vjeçare duke lënë në pikëllim të thellë familjen e tij, bashkëshorten Rajmonda si dhe dy djemtë, Bledarin dhe Dritanin. Por, jo vetem familjen, por edhe kolegët dhe shoqërinë e tij të shumtë që ai pati gjatë karrieres së pasur mediatike, si në gazeten “Jeta e Re” dhe Radio Shkodra të qytetit verior, “Sporti Shqiptar” në Tiranë si dhe gazeten “Albania Press” që e drejtoi për vite me profesionalizëm në Athinë gjatë periudhës së pas 90-tës ku jetoi së bashku me familjen. Personalisht, si një nga miqtë dhe kolegët e tij më të afërt, por edhe në emër të Unionit të Gazetarëve të Qarkut Shkodër i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes “Bigza” për humbjen e njeriut të tyre më të afërt.
Ditën e hënë të 30 majit 2016, trupi i pajetë i gazetarit të mirënjohur, Ramadan Bigza pritet të mbërrijë në qytetin e Shkodrës ku do të prehet pranë prindërve të tij në varrezat e qytetit. Unioni i Gazetarëve të Qarkut Shkodër është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e të ndjerit duke marrë masat e duhura në nderim dhe respekt të kolegut tonë, pjesëtarit dinjitos të komunitetit mediatik shkodran dhe më gjërë, jo vetem në fushën e sportit por edhe fushave të tjera. Për orën dhe diten e saktë të ceremonisë, jemi në pritje të njoftimeve të tjera më të hollësishme, të cilat do t’ia përcjellim publikut në momentin e duhur.
Lamtumirë Ramadan! Trupi yt pushoftë në Paqe!
G. MARKU – Shkodër-29 maj 2016

Aktualitet

Archives