Bushati: Marrëveshja e detit me Greqinë është në favor të shqiptarëve

Gjatë një interviste televizive, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, u shpreh se marrëveshja për detin me Greqinë do të jetë e ndershme, e bazuar në legjislacionin e Shqipërisë dhe në konventat ndërkombëtare…

Marrëveshja për dekufizimin e detit me Greqinë është mbi baza të ndershmërisë, ligjit të Shqipërisë dhe konventave ndërkombëtare për detin. Kjo marrëveshje është e favorshme për shqiptarët.

Gjatë një interviste televizive, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, duke folur për çështjen e marrëveshjes me Greqinë, u shpreh se marrëveshja për detin do të jetë e ndershme, e bazuar në legjislacionin e Shqipërisë, por dhe sipas kërkesave të konventave ndërkombëtare. Sipas Bushatit, vizita e Kryeministrit Tsipras do të pasohet me një produkt dhe ndoshta dhe me një vizitë të Kryeministrit shqiptar në Greqi.

“Vizita të niveleve të larta, si ajo e Tsiprasit në Tiranë, duhet të kenë produkte dhe që më të tej të sjellin dhe vizita në kahun tjetër të kryeministrit tonë në Greqi. Në marrëveshje duhet të zgjidhen dhe çështje të njëanshme, siç është dhe ligji i luftës që duhet të hiqet. Ky ligj është, pavarësisht disa deklaratave pa vend, dhe e ka pranuar edhe pala Greke dhe duhet të shfuqizohet, në mënyrë që shteti shqiptar dhe shtetasit shqiptarë që kanë pronat e tyre nën sekuestro të gëzojnë këto prona”, tha Bushati.

“Po ashtu, sipas standardeve ndërkombëtare, është caktuar dhe vendi i prehjeve të ushtarëve grekë. Edhe për këtë në vendin tonë u ngrit një stuhi në gotë me ujë, por kjo marrëveshje nuk është ankimuar në asnjë gjykatë dhe janë të njëjtat me ato të vendosura nga qeveria Berisha në vitin 2009. Janë dy vendprehje të ushtarëve grekë. Janë duke u diskutuar marrëveshja e dekufizimit, për çështjen e vulave apostile. Po ashtu marrëveshja për të gjitha çështjet kufitare, si edhe njohja e lejeve të drejtimit të ndërsjella dhe këto dëshirojmë të bëjmë me palën Greke”, shtoi Bushati.

Sa i takon rrugës për të mbërritur tek marrëveshja, Bushati garantoi ndershmërinë duke shtuar se qeveria ka nxjerrë mësimin e duhur nga marrëveshja e vitit 2009 të qeverisë Berisha, e cila, sipas tij, ishte e pandershme dhe e lashtëligjshme.

“Natyrisht që në botën moderne palët testojnë njëra-tjetrën përpara se të ulen të flasin me çështje teknike. Përshembull, çështja e kufirit, ajo e piramidave, janë çështje 40-vjeçare. Fillimisht duhet të testohet gatishmëria e palëve për të gjetur marrëveshjet dhe më pas të respektohen detyrimet ndërkombëtare dhe legjislacioni i brendshëm i vendeve dhe më pas të gjendet zgjidhja”, tha Bushati.

“Çështja më delikate është ajo e dekufizimit të kufirit detar. Historia jonë nis që në vitin 2009 dhe në kohën kur Gjykata Kushtetuese e rrëzoi atë marrëveshje të bërë nga qeveria Berisha. Për çfarë kemi rënë dakord? Së pari jemi dakordësuar për të gjetur një marrëveshje të re dhe kjo nuk ishte e lehtë duke parë mosbesimin. Ky është një zhvillim pozitiv. Një marrëveshje e re do të jetë më e drejtë, më e ndershme, do të mbajmë parasysh perimetrin që përcakton konventa e detit dhe legjislacioni ynë i brendshëm. Është në interesin edhe të Greqisë për ta gjetur këtë dakordësi. Ne kemi nxjerrë mësimet tona nga praktika e hidhur e vitit 2009 dhe besojmë nga të gjitha diskutimet që kemi pasur me palën Greke. Marrëveshja e bërë nga Berisha nuk ishte e ndershme dhe ishte e paligjshme, nuk i shërbente vendeve tona. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, ajo marrëveshje është vlerësuar e pandershme dhe jo pozitive për vendin tonë”, tha Bushati.

Sipas Bushatit, me një marrëveshje të re, Shqipëria do të përfitojë disa herë më shumë nga ajo që ishte nënshkruar nga qeveria Berisha.

Bushati: Konsultat e Presidentit janë të rëndësishme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, ka përshëndetur procesin e konsultave të nisura nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Sipas Bushatit, ky është një proces mjaft i rëndësishëm, ndërsa kujton se mes personave që ka konsultuar presidenti është edhe ish-kryeministri dhe ish-presidenti Sali Berisha, i cili ka nënshkruar një marrëveshje me Greqinë, por që u rrëzua nga Kushtetuesja pikërisht se nuk mori plotfuqishmërinë nga Presidenti asokohe.

“Dua të përshëndes procesin e konsultave që ka bërë Kryetari i Shtetit me ish-presidentët, por dhe me ish-kryeministrin Sali Berisha. Një proces që shpresoj të ketë qenë efektiv për t’i dhënë më shumë argumente Presidentit për këtë proces. Marrja e mendimit të Berishës është një domethënie e madhe, pasi ai e shkeli këtë plotfuqishmëri. Për ata që shkruajnë tek dritarja e Zuckenbergut, ligji ka ndryshuar për këto negociata. E para është marrja e plotfuqishmërisë shtetërore, që lidhet me Presidentin dhe unë dua autorizim nga Presidenti i Republikës që të japë plotfuqishmërinë për grupin negociator.

Pasi mbarojnë negociatat vjen momenti i dytë, është sërish Presidenti që më jep mua plotfuqishmërinë për të firmosur marrëveshjen e arritur nga negociatat, e cila vlerësohet nga Presidenti. Më pas kjo marrëveshje shkon në qeveri, firmoset, kalon në Kuvend, nënshkruhet aty dhe sërish për të tretin rast ta dekretojë ose jo”, tha Bushati.

Bushati: Heqja e ligjit të luftës brenda pranverës

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, tha se synohet që ligji i luftës të hiqet brenda pranverës. Sipas Bushatit, kjo do sjellë shumë përfitime për të dyja vendet.

“Ligji i luftës pritet të hiqet brenda pranverës, çka do të relaksojë marrëdhëniet dypalëshe dhe do t’u japë mundësi shqiptarëve të gëzojnë edhe të drejtën e pronës në Greqi, si dhe çështje të tjera burokratike dhe jo vetëm”, tha Bushati.

“Për çështjen Çame është abuzuar tej mase, por e vërteta është se ne kemi insistuar gjithnjë për këtë, por Greqia ka një ‘x’ qëndrim. Sa për pronat e çamëve, ajo lidhet me një vendim të Gjykatës së Janinës dhe është histori tjetër”, tha Bushati.

“Sa u takon ndryshimeve në librat e historisë, do të diskutohet çështja nga ekspertët, si ministrja jonë e Arsimit me atë greke”, saktësoi ministri Bushati. /ATSH

Aktualitet

Archives