Aksidenti në Shkodër/ Flasin banorët: Rruga është vend tragjedish.

Pasditja e ditës së dielë, përgjaku rrugën Shkodër-Velipojë. Një aksident tragjik, ku kryefamiljari Edmond Preka, djali i vogël 9 muajsh dhe vajza 5 vjeçare, humbën jetën. Ndërkohë, nëna Evisa dhe vajza 10 vjeçare, ndodhen në gjendje kritike për jetën.

Nga aksidenti mbetën të plagosur edhe Sokol Mullaj dhe Ndrek Gjergji, të cilët udhëtonin me makinën tjetër. Por, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Banorët thonë se ky segment rrugor është një prej më problematikëve në vend dhe aksidentet janë të shpeshta.

“Vetëm disa ditë më parë, një makinë ra në kanal, fatmirësisht pati vetëm dëme materiale, por jo gjithmonë ndodh kështu. Dhe ja, tek ndodhi, ngjarja tragjike e ditës së djeshme, ku humbën jetën tre njerëz të pafajshëm.

Gjendja në këtë aks është skandaloze. Që prej qershorit të vitit të kaluar, kanë nisur punimet, por aty nuk ka asnjë sinjalistikë. Mungojnë tabelat, por ajo që është më e rëndë është ndriçimi dhe bagëtitë. Në këtë rrugë, çdo ditë kalojnë dele, lopë, bagëtitë ecin krahë për krahë me makinat.

Askush nuk merret me to, ashtu si askush nuk po merret me zgjidhjen e kësaj situate. A duhet të humbasin jetën të tjerë njerëz, që të bëhet diçka?”-thonë banorët.

Sipas autoriteteve, veç shkurtimit të kohës së qarkullimit, rruga e re do të jetë më e sigurtë.

Por, deri atëherë, aksidente fatale, vazhdojnë të marrin jetën e të pafajshmëve./Dritare.net

Aktualitet

Archives