Zamira Koleci: pse e lashë Radio Tiranën për Top Albanian dhe si ishte të punoje me Tanin

Zamira Koleci është ndër historitë e gjalla të gazetarisë shqiptare, specifikisht asaj radiofonike. Emri i saj, pos radioreportazhit e gjinive të tjera në Radio Tirana, lidhet dhe me kalimin nga tradita te avangarda, te Top Albania Radio, një test i kaluar mjeshtërisht prej saj, duke u shndërruar në një ikonë të lajmeve, e ku pa në radion e rinisë, si staf e si dëgjues. Dhe nëse dëgjueshmëria do zgjerohej dhe te grupmosha të tjera, kjo do ishte falë kumtimit fantastik të lajmit nga Zamira Koleci. Prej saj, gjithashtu, do servirej për herë të parë lajmi flesh, që më pas u bë endemik në të gjitha radiot shqiptare.

Në një intervistë për tesheshi.com, në 20-vjetorin e Top Albania Radio-s, Zamira Kolesi rrëfen disa prej përjetimeve të atyre viteve, si ndodhi kalimi nga një radio e traditës te një rioshe, si ishte të punoje me të ndjerin Tan Hoxha, dhe si e sheh radion tani…

 Intervistoi: Ermir Hoxha

 

Si ndodhi kalimi nga Radio Tirana te Top Albania?

Ishte fillimi i vitit ‘98-të. Më propozuan punën në një radio që pritej të hapej, ndërkohe që transmetimi muzikor kishte nisur. Në radio Tirana, nga drejtore e departamentit isha hequr pas ardhjes në pushtet të së majtës. Punoja në të njëjtin department, por e ndjeja që puna ime paragjykohej dhe sigurisht që ishte një arsye më shumë për ta lënë Radio Tiranën.

Keni qenë e njohur për reportazhin radiofonik. Si u komportuat tek lajmi telegrafik?

Unë e dashuroj radioreportazhin, por në fund të fundit, brenda tij përfshihen të gjithë elementet radiofonikë: lajmi, intervista, radiokronika apo radioportreti. Kështu që nuk ishte i vështirë kalimi. Përkundrazi.

Lajmi flesh, si erdhe tek kjo zgjedhje?

Nuk ishte zgjedhja ime. Pronarët e radios e vendosën vetë këtë dhe unë thjesht e realizova. Sigurisht më ndihmoi shumë eksperienca e lajmeve në seksionet shqip të BBC, Zërit të Amerikës si dhe Euroneës.

Dhe siç ndodh në Shqipëri, të gjithë nisën t’ju kopjonin, të aplikonin këtë formë lajmi. Mos ndiheshit keq nga kjo?

Jo, jo aspak. Në fund të fundit e kërkonte koha këtë. Por lajmin flesh nuk është e lehtë ta krijosh. Duhet gjetur në çdo rast fjala e duhur.

Si ishte të punoje me Tan Hoxhën?

Ishte një ndërthurje ndjesish, vështirësi, sepse vazhdimisht kërkonte….kënaqësi për idetë e pafund që shprehte edhe pse nuk ishte gazetar. Por më shumë më mahniste pasioni i tij për radion që u venit vetëm pasi ai krijoi Top Channel.

Thuhej në atë kohë se falë jush, lajmet me Berishën do ishin të rezervuara. Sepse, sërish flitej, ju njiheshit si e afërt politikisht me të…

Radio kishte edhe një tjetër pronar, Vajdin Lame, me të cilin isha në të njëjtën llogore politike. Megjithatë, në asnjë rast nuk ka patur konflikte në këtë aspekt mes nesh. Sipas mendimit tim, të shkruash lajmin dhe të ndërtosh politikën editoriale në një edicion lajmesh, është më e lehtë të jesh i ekuilibruar.

 Si ka qenë pikëtakimi yt me mikrofonin?

Kur isha studente në gazetari, pedagogu më i preferuar ishte i ndjeri Agron Çobani. Ishte thjesht dëshira për të mësuar prej tij që më lidhi përfundimisht me Radion dhe mikrofonin. I jam mirënjohës përjetë.

Ishte ajo kohë në Top Albania ku punove mes të rinjsh. A mund të thuhet se ajo ishte një rini e dytë për ty?

Absolutisht po. Fillimisht ishte e vështirë të mësoheshe, por kalonte koha dhe gjithçka bëhej më e lehtë për mua dhe për gazetarët e rinj. Ishte një përshtatje e ndërsjelltë.

I ndiqni radiot sot?

I ndjek me kënaqësi, edhe pse jo përherë më kënaqin. Unë jam fanatike e gjinive radiofonike dhe më vjen keq që po humbasin. Sigurisht që radio është komunikim me dëgjuesin, por sot abuzohet shumë me telefonatat e nuk dëgjoj emisione të mirëfillta radiofonike.

Si është kualiteti i zërava në radio, timbri e artikulimi bashkë, sidomos në lajme, qoftë dhe në ato të televizioneve?

Kam përshtypjen se sot në mediat audiovizive, folësit ngatërrojne shpejtësinë me ritmin. Gjithsesi është e lehtë të kritikosh, por mendoj se duhet punuar shumë në këtë drejtim. Folësi nuk përcjell qëtesi por ankth.

Kë do veçonit si folësin (apo folësen) më të mirë, aktualisht si dhe ndër vite?

Dhimitër Gjokën, Fjoralba Shehun dhe Genta Popën. Ndërsa ndër vite, asi i te folurit në TV ka qenë Virgjil Kule.

Edhe Top Channel startoi me një figurë imponuese nga tradita, të ndjerin Alfons Gurashi. Ishte një zgjedhje e denjë?

Kur filloi transmetimet Top Channel, i ndjeri Dritan Hoxha këtë ide dhe e ndau edhe me mua dhe e realizoi me Fonsin. Padyshim që ishte një zgjedhje e duhur.

E keni vënë re, të gjithë kanalet prestigjoze në botë, folësit i kanë veteranë gazetarie. Pse nuk ndodh kështu dhe te ne? Dua të them pse mos jesh ti sot një e tillë?

Nuk ndodh tek ne për një arsye shumë të thjeshtë: pronarët e mediave audiovizive nuk e vlerësojnë sa duhet, ose me keq akoma nuk dinë ta bëjnë këtë. Personalisht e kam mbyllur këtë kapitull të jetës profesionale. Sot jam shumë e kënaqur mes studentëve të gazetarisë që parapëlqejnë radion. Dhe nuk janë pak. /tesheshi.com/

Aktualitet

Archives