Në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Basha kujton veprat e Rugovës dhe Jasharit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Basha shprehet se sot të gjithë shqiptarët janë me mendje dhe zemër në Kosovë.

Kryedemokrati tha se shqiptarët janë kryelartë para botës dhe kombeve se Kosova ka treguar çdo ditë në këta 10 vjet se pavarësia e saj ishte jo vetëm drejtësi njerëzore dhe historike.

“Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Gëzuar këtë ditë të madhe për të gjithë shqiptarët! Sot, ne jemi të gjithë me mendje dhe me zemër në Kosovë. Përulemi para veprës së Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit e mijëra bijave e bijve të Kosovës dhe mbarë kombit që luftuan e sakrifikuan për këtë ditë të madhe. Sot kujtojmë me përmallim të gjithë të dashurit tanë që u ndanë nga ne me pengun se nuk e panë dot Kosovën të lirë”, shkruan Basha.

Më tej në urimin e tij ai thekson se mbi të gjitha, “sot jemi krenarë për Kosovën, kryelartë para botës dhe kombeve se Kosova ka treguar çdo ditë në këta 10 vjet se pavarësia e saj ishte jo vetëm drejtësi njerëzore dhe historike, por edhe burim për paqen, zhvillimin dhe europianizimin e të gjithë Ballkanit.

Jemi plot besim se Kosova ka përpara një të ardhme të ndritur, të përparuar dhe europiane. Sot, ne e dimë se e ardhmja e të gjithë shqiptarëve është e bekuar. Gëzuar Kosovë e shtrenjtë! Gëzuar shqiptarë kudo në botë”.

Aktualitet

Archives