Uashingtoni mbështet Tiranën për integrimin në Bashkimin Evropian

“SHBA-ja qëndron në krah të Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian”, ka deklaruar nëndrejtoresha e Zyrës për Çështjet e Evropës Qendrore e Jugore, Susan K. Falatko, gjatë takimit me ministrin shqiptar të Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.

Në kuadër të vizitës në SHBA, ministri Majko zhvilloi një takim të rëndësishëm në Departamentin amerikan të Shtetit, ku u takua me nëndrejtoreshën e Zyrës për Çështjet e Evropës Qendrore e Jugore të SHBA-së, Susan K. Falatko.

Në një njoftimin për mediat, bëhet e ditur se “gjatë bisedimeve me Susan K. Falatko, fokusi të ishte reforma në fushën e diasporës, ndërsa ministri e informoi atë për arritjet dhe përpjekjet që po bëhen në këtë aspekt, në bashkëpunim me qeverinë”.

Ministri Majko foli edhe për rritjen e koordinimit me vendet fqinje, si një mënyrë për ta bërë më të efektshme punën në mbështetje të diasporës.

Po ashtu, një tjetër çështje e rëndësishme e prekur në bisedime ishte heqja e taksave të dyfishta mes dy vendeve, marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore.

Gjatë bisedës u vu theksi tek rëndësia e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve, ndërsa zyrtarja e lartë e Departamentit amerikan të Shtetit shprehu mbështetjen në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. /ATSH

Aktualitet

Archives