Bashkia e Elbasanit rrit bashkëpunimin me Turqinë në fushën e arsimit

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini ka pritur në një takim zyrtar ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yoruk.

-Bashkia e Elbasanit bashkëpunim me Turqinë në fushën e arsimit

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini ka pritur në një takim zyrtar ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Ahmet Yoruk.

Dy zyrtarët diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit dhe propozime konkrete që qeveria turke mund të mbështesë në qytetin e Elbasanit. Kërkesat e kryetarit të bashkisë, Sejdini kanë qenë të përqëndruara në sektorin e arsimit si një nga sektorët më të rëndësishëm për të ardhmen e një vendi.
“…Sot patëm një takim shumë interesant dhe shumë konkret. Patëm një bashkëbisedim për bashkëpunim në fushën e arsimit në të gjitha drejtimet e arsimimit, një bashkëpunim krejtësisht të ri, për të dhënë një kontribut për qytetin e Elbasanit, sigurisht që këto janë bisedimet e para, por janë shumë konkrete…”.

Gjithashtu, në këtë takim u ra dakord që bashkia e Elbasanit do të binjakëzohet me bashkinë Edirne, binjakëzim i cili është kërkuar nga vetë kryetari i kësaj bashkie, për shkak të origjinës së tij shqiptare. Ky binjakëzim, theksoi Sejdini nuk do të jetë një bashkëpunim në letra, por konkret për të dyja palët.

“…Gjithashtu sot vendosëm të kemi një bashkëpunim me bashkinë e Edirnesë, meqë edhe kryetari i bashkisë është me origjinë shqiptare, një bashkëpunim jo vetëm me bashkinë, por edhe me prefekturën, por që janë bashkëpunime konkrete për binjakëzime. Gjithashtu biseda jonë u zhvillua për zhvillimin e qytetit të Elbasanit, nëpërmjet punës së ambasadorit dhe këshilltarëve të tij, që ishin të pranishëm në këtë takim. Unë shpresoj shumë që së shpejti do të kemi punë konkrete, unë nuk jap afate, por mund të them në shtator. Jam shumë optimist dhe më vjen mirë që ambasadori është shumë konkret…”.

Nga ana e tij, ambasadori turk, Ahmet Yoruk vlerësoi figurën e Sejdinit dhe punën e tij në krye të bashkisë së Elbasanit, por edhe miqësinë që ekziston midis dy vendeve Shqipëri-Turqi.
“…Sot, ndjej një kënaqësi shumë të madhe që kam ardhur në qytetin e Elbasanit, një ndër qytetet më të veçantë të Shqipërisë, të këtij vendi mik dhe vëlla. Ndjej kënaqësi të veçantë që pata një takim tepër kuptimplotë dhe të dobishëm me kryetarin e bashkisë së Elbasanit, një personalitet politik, i njohur për aftësitë e tij të integrimit të pushtetit lokal. Ne, kemi ecur së bashku me vëllezërit dhe miqtë tanë shqiptar ndër shekuj. Në këtë ecje, gjithmonë përpara do ta konkretizojmë me shumë projekte. Para se të vija këtu në Elbasan, isha në qytetin e bukur të Belshit, ku mora pjesë në përurimin e një kopështi. Për mua, është një lumturi dhe kënaqësi kur shikoja ato fytyrat e lumtura të fëmijëve të atij kopshti. Siç tha edhe zoti kryetar, ne diskutuam shumë çështje dhe ramë dakord për disa çështje, kryesisht në fushën e arsimit, sepse kemi bindjen që edhe fëmijët tuaj janë edhe fëmijët tanë. Ne do të vazhdojmë të japim ndihmë më të madhe dhe mbështetje. Unë kam bindjen personale që populli shqiptar është një popull i zgjuar, vetëmohues, shumë punëtor dhe një popull i prirur për t’u integruar shpejt me të renë. Ne, kemi bindjen se të rinjtë shqiptar, këtu në Shqipëri i pret një e ardhme e mirë dhe e begatë. Nëse më lejoni në fund, dua të them se në kuadrin e përqasjes së përgjithshme që ka Turqia për Shqipërinë, ne kemi bindjen se në ditë të mira dhe ditë të vështira, dora që mbështet është më e fuqishme se gjuha që kritikon...”, përfundoi Yoruk.

Pas këtij takimi, ambasadori turk ka vijuar me të tjera takime me pushtetin lokal në Elbasan.

***

-TIKA ndihmon fëmijët e bashkisë së Belshit

Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Ahmet Yörük, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së rinovimit dhe mobilimit nga ana e TİKA-s, të  kopështit të fëmijëve në Belsh të Elbasanit. Në këtë ceremoni morën pjesë gjithashtu, kryetari i Bashkisë Belsh, Arif Tafani, deputetë të Elbasanit, Arben Kamami dhe Musa Ulqini, prefekti i Elbasanit, Maksim Malaj, koordinatori i TİKA-s në Shqipëri, Özay Öztütok, si dhe përfaqësues të ambasadës turke në Tiranë, edukatorë dhe fëmijë të kopështit.

Përveç fëmijëve që preken drejtëpërdrejtë nga këto investime, edhe prindërit ndihen më të qetë kur fëmijët e tyre mësojnë në ambiente bashkëkohore dhe me infrakstrukturë të mirë.

Kryetari i bashkisë së Belshit, Arif Tafani në një pritje për ambasadorin ka thënë se ndihma e dhënë nga TIKA është kuptimplotë, pasi projekte të kësaj natyre kanë shumë rëndësi për një bashki të varfër si e jona.

Ndërsa, ambasadori turk, Yőrūk në fjalën e tij ka thënë, se është i gëzuar që vizitën e tij të parë e bën në Belsh të Elbasanit.

Në ceremoninë e inaugurimit të kopështit, kryetari i bashkisë ka thënë se ka mbetur i surprizuar nga aktiviteti i TIKA-s, pasi sipas tij realizimi është bërë në kohë rekord. Ai ka falënderuar Turqinë dhe institucionet turke për këtë dhuratë të çmuar që i kanë bërë fëmijëve.

Në fjalën e tij ambasadori turk në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük theksoi se Turqia do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në çdo aspekt, pasi populli shqiptar dhe turk janë të lidhur si mishi me thoin.

Më tej, ambasadori përcolli përshëndetjet e popullit turk për banorët e Belshit, duke thënë se: “Bashkë me vëllezërit tanë shqiptar me qindra vite kemi ecur dhe përparuar bashkë. Ky përparim do të vazhdojë edhe pse nuk jemi komshinj gjeografikisht, ne ju konsiderojmë fqinj të zemrës. Ne nuk po hedhim themele të reja, por po thellojmë shumë më tepër themelet tona që kemi.Dora që mbështet është më e fuqishme se gjuha që kritikon. Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm në rajon. Ne kemi bindjen e plotë që populli shqiptar ka një të ardhmë të shkëlqyer duke parë arsimin, rininë dhe popullin aktiv. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë popullit të Shqipërisë sikurse kemi qendruar edhe në të shkuarën…”.

Vlen të përmendet se Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim, TIKA operon në Shqipëri prej vitit 1996. Ajo ka realizuar më shumë se 300 projekte të ndryshme, të cilat kanë në epiqendër të tyre shërbimin ndaj qytetarëve shqiptar. Një pjesë e mirë e këtyre projekteve të TIKA-s janë ofruar në infrastrukturë, shëndetësi dhe veçanërisht në fushën e arsimit.

***

-Në Tiranë, protestë kundër marrëveshjes së detit 

Një protestë e organizuar nga shoqëria civile është zhvilluar në fundjavën e kaluar përpara Kryeministrisë, në Tiranë për të kundërshtuar, atë që ata e quajnë si dhurimin me 12 milje të detit të Shqipërisë në favor të Greqisë.

Gjithçka nisi pas deklaratave të ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, i cili pak ditë më parë u shpreh se parimisht ishte rënë dakord me Shqipërinë që të zbatohej regjimi i 12 miljeve detare.

Protestuesit i bënë thirrje kryeministrit shqiptar, Edi Rama që të jepte sqarime, ndërsa kërkuan nga profesionistët që të japin një zgjidhje ligjore për këtë çështje…

Në duar mbanin flamujt kuq e zi, atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian, por edhe të shteteve të tjera të Evropës.

Simboli kryesor ishte kartoni i kuq për t’i thënë jo çdo marrëveshje që rrezikon t’i marrë sipërfaqe Shqipërisë.

Protesta u mbyll qetësisht dhe paqesisht, pas asnjë incident.

***

-Banka Botërore rishikon me ulje rritjen ekonomike të Shqipërisë  

Ekonomia e Shqipërisë pritet të ngadalësohet në dy vitet e ardhshme. Banka Botërore në projeksionet që bën për ekonominë botërore në çdo fillim viti shprehet pesimiste në lidhje me nivelin e rritjes ekonomike në Shqipëri. Ekspertët shpjegojnë se këto pritshmëri lidhen me përfundimin e investimeve të mëdha në Shqipëri si dhe krijimin e një klime të pafavorshme për të bërë biznes.

Banka Botërore ka rishikuar me ulje ecurinë ekonomike të Shqipërisë për dy vitet e ardhshëm, duke mos qenë aq optimiste sa qeveria shqiptare. Sipas të dhënave për vitin 2019 rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë me një ulje prej 0.3%, ndërsa për 2020 parashikimi mbetet po 3.5%. Ekspertët e shpjegojnë këtë projeksion me përfundimin e investimeve.

Rritja ekonomike e Shqipërisë për dy vitet e ardhsme sipas Bankës Botërore projektohet nën mesataren e rajonit.

*** 

Presidenti Meta i dorëzon Flamurin Kombëtar ekipit shqiptar pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Dimërore

Presidenti i Republikës, i dorëzoi Flamurin Kombëtar delegacionit sportiv shqiptar që do përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pyeongchang 2018”, të cilat do të zhvillohen në Korenë e Jugut nga data 9 deri më 25 shkurt.

Presidenti i Republikës, pasi i dorëzoi Flamurin Kombëtar skiatores Suela Mëhilli, duke iu drejtuar të pranishmëve, u shpreh: “Dua të shpreh kënaqësinë time që i dorëzova Flamurin Kombëtar delegacionit që do të na përfaqësojë në Lojërat Olimpike Dimërore dhe u uroj shumë suksese! Njëkohësisht të kemi përfaqësim dhe rezultate më të mira në veprimtaritë sportive ndërkombëtare…Ju uroj edhe një herë shumë suksese dhe mbarësi dhe ta ngrini sa më lart që të keni mundësi Flamurin në Korenë e Jugut!

Njëkohësisht le të jetë ky një moment reflektimi për të gjithë ne që të angazhohemi për olimpiadën tjetër menjëherë pas kësaj…”, tha presidenti Meta

Sportisja Suela Mëhilli theksoi: “Kjo për mua do të jetë Olimpiada e dytë. Jam shumë krenare të përfaqësoj Shqipërinë para botës, kështu që do të jetë një eksperiencë e veçantë. Falëminderit për këtë mundësi…”!

Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

Aktualitet

Archives