CSU/CDU dhe SPD arrijnë marrëveshjen për koalicionin qeverisës

Partnerët potencialë për formimin e qeverisë së re të Gjermanisë arritën të mërkurën marrëveshjen mbi parimet bazë në bisedimet për koalicionin.

“Unioni Demokristrian (CDU) i Kancelares Angela Merkel me aleatët e saj bavarezë të Unionit Kristiansocial (CSU) dhe Partia Socialdemokrate (SPD) kanë arritur të zgjidhin mosmarrëveshjet mbi çështjet përfundimtare gjatë bisedimeve të zhvilluara të mërkurën në mëngjes”, sipas burimeve të pacituara.

Zgjedhjet parlamentare në Gjermani u mbajtën më 24 shtator, ndërsa negociatat për formimin e një koalicioni të ri qeveritar janë shtyrë dy herë pavarësisht afatit përfundimtar, i përcaktuar më 4 shkurt.

Gjatë bisedimeve të dielën dhe të hënën nuk u arrit dot një marrëveshje mbi shëndetësinë, tregun e punës dhe ndarjen e portofolave ​​ministrore.

Tani anëtarët e SPD-së duhet të votojnë nëse janë pro apo kundër marrëveshjes.

Rezultati i votimit brenda SPD-së me 463 mijë anëtarë pritet të shpallet në fundjavën e parë të muajit mars.

Ekonomia më e fuqishme evropiane ka mbi 4 muaj pa qeveri, periudha më e gjatë në historinë moderne të Gjermanisë.

Aktualitet

Archives