Syzet e para në botë që filmojnë 360 gradë

Ndërsa realiteti virtual po bëhet gjithnjë e më popullor, po shfaqen edhe lloje të ndryshme kamerash 360-gradëshe për konsumatorët. Më të veçantat janë një palë syze me kamera të instaluara në skeletin e tyre, që mundësojnë për herë të parë një filmim të tillë tredimensional.

Këto syze mund të ishin fare mirë pasardhës i Google Glass dhe GoPro.

“Janë syze me stil tërheqës dhe përmbajnë katër kamera, dy përpara dhe dy prapa”, thotë Adil Suranchin i kompanisë prodhuese, “Orbi”.

Rezultati është video tredimensionale me rezolucion 4K.

“Këto janë syzet e para në botë që filmojnë në 360 gradë”, thotë zoti Suranchin.

Syzet mundësojnë që pajmet të filmohen nga këndvështrimi i saktë i personit, ndërsa duart i ka të lira.

“I vendos syzet, shtyp një buton, dhe mund t’i thuash lamtumirë të gjitha paisjeve mbështetëse që duhen për kamerat e sotshme. Secila prej kamerave ka fushëpamje prej 180 gradësh, pra mund të filmoni gjithçka rrotull”, thotë zoti Suranchin.

Kompania ka menduar edhe për aspektet e privatësisë, për të cilat shumë njerëz shqetësohen.

“Kemi drita sinjalizuese LED, të cilat ndizen kur po regjistrohen pamje, kështu që të gjithë njerëzit rrotull të dinë që po filmohen”, thotë zoti Suranchin.

Videoja mund të shpërndahet menjëherë, dhe mund të ruhet në një kartë memorieje. Syzet i rezistojnë ujit, kanë xhama të polarizuar, mund të porositen për 399$, dhe kompania fillon shpërndarjen në muajin gusht.

Aktualitet

Archives