Gjermani, ceremoni përkujtimore për viktimat e nazizmit

Në 73-vjetorin e shpëtimit të personave të mbajtur në kampin e përqendrimit në Auschwitz gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Parlamentin e Gjermanisë (Bundestag) përkujtohen me një ceremoni zyrtare viktimat e nazismit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë përkujtimore e cila në Bundestag zhvillohet çdo vit që nga viti 1996, krahas presidentit të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, mori pjesë edhe artistja e famshme 93-vjeçare Anita Lasker-Wallfisch.

Në një fjalim, Lasker-Wallfisch, ka paralajmëruar në çështjen e rilindjes së antisemitizmit. “Antisemitizmi është një virus 2 mijë vjeçar dhe ndoshta nuk ka shërim”, është shprehur Lasker-Wallfisch, duke e cilësuar si një “situatë të keqe” që sot shkollat dhe çerdhet hebreje janë të detyruara të ruhen nga policët.

Kryetari i Parlamentit Federal të Gjermanisë, Wolfgang Schaeuble, i cili ka mbajtur fjalimin hapës të ceremonisë, ka theksuar se askush nuk duhet t’i nënshtrohet diskriminimit në bazë të fesë, gjuhës, racës dhe orientimit seksual.

Schaeuble gjithashtu vuri në dukje se, përveç sinagogave dhe institucioneve hebraike, shumë xhami janë bërë objekt i sulmeve dhe se ata duhet të jenë të shqetësuar që edhe muslimanët po vërehen në mënyrë armiqësore ose kriminale për shkak të besimeve të tyre. Kreu i Bundestagut deklaroi se nuk ka vend për urrejtje apo dhunë në shoqërinë gjermane.

Personat që u mbajtën në kampin e përqendrimit në Auschwitz u shpëtuan nga trupat e Armatës së Kuqe më 27 janar 1945. Auschwitz është një simbol për gjenocidin hebre në të cilin rreth 6 milionë njerëz u vranë në kampet e përqendrimit. Parashikohet se vetëm në kampin Auschwitz janë vrarë rreth 1.1 milion njerëz.

Aktualitet

Archives