Medreseja e Shkodrës, më e madhja në Ballkan

Medreseja e Shkodrës “Haxhi Sheh Shamia” nga viti 2000 e në vijim financohet nga shoqata “Istanbul” dhe nga institucione të tjera të qeverisë turke.

Medreseja e Shkodrës “Haxhi Sheh Shamia” u themelua në dhjetorin e vitit 1991. Ajo u hap si shkollë e bashkuar, 8 – vjeçare dhe e mesme e përgjithshme, me profil fetar.

Medreseja “Haxhi Sheh Shamia” trashëgon traditën e mrekullueshme të medreseve të hershme të Shkodrës dhe mban emrin e një prej personaliteteve më të kompletuara të klerikëve shkodranë.

Shkodra, ka pasur disa medrese që fillimet i kanë në periudha të gjata kohore për rreth tre shekuj më parë. Vlenë të veçohen; Medreseja e Qafës, Kompleksi i famshëm Kulturor i Bushatlinjëve dhe medreseja e tyre, Medreseja e Epërme e vitit 1925-29dhe Medreseja e vitit 1944-47.

Në këto medrese punuan personalitete të shquara, të cilët ndikuan nder breznitë, duke edukuar frymën e lartë islame. Kësisoj u krijue një traditë e mrekullueshme e arsimimit fetar islam, që u ruajt thellë e ndjehet edhe sot në Shkodër, duke e ruajtur te gjallë në zemrën dhe shpirtin e besimtarëve. Ky qe një nga faktoret themelor që i përballoi valës së dhunshmne te ateismit komunist e që bëri te mos shuhej kurrë besimi te Zoti Fuqiplotë.

Me ardhjen e demokracisë, si në të gjitha fushat e jetës, rifilluan veprimtarinë e tyre institucionet fetare. Më 12 dhjetor 1991 u bë  e mundur hapja e medresesë “Haxhi Sh.Shamia”, si shkollë e shërbimit parauniversitar, cikël 8-të vjeçar plus gjimnaz,  me profiil fetar.

Një rol të veçantë në konsolidimin e medresesë kanë patur tre drejtuesit paraardhës të kësaj shkolle, duke filluar me drejtorin e parë Ahmet Osja, e më pas me Hiqmet Begteshi dhe profesor Islam Dizdari, të cilët ngriten në këmbë infrastrukturën e plotë dhe me pune e devocion bënë që shkolla të ecte e sigurtë drejt arritjeve cilësore.

Në shtator të vitit 2000 shkolla u nda në dy degë, dega e djemve dhe dega e vajzave. Po në vitin 2000, shoqata “Istanbul” mbi bazën e një marrëveshje me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë merr përsipër administrimin e proҫesit edukativo – arsimor në medresenë “Haxhi Sheh Shamia” Shkodër, dega e vajzave, ndërsa në vitin 2007 i kalon në administrim edhe dega e djemve.

Gjatë këtyre viteve Medreseja iu nënshtrua një sërë reformash, si në drejtim të proҫesit edukativo – arsimor, ashtu edhe në përmirësimin e infrastrukturës shkollore.

Sot, Medreseja ofron shërbim arsimor cilësor për ciklin fillor, 9-vjecar dhe të mesëm në tre godina të ndara sipas cikleve, duke ofruar njëkohësisht edhe shërbimin e konviktit dhe transportit. 

Reformat arsimore, që janë zbatuar në medrese të shoqëruara me investimet e realizuara e kanë bërë medresenë një shkollë të standarteve bashkëkohore.

Medreseja, sot ka treguesit e saj të cilët e rendisin ndër shkollat me standartet më të mira për një arsim cilësor si në rang qarku ashtu në rang kombëtar.

Shkolla në të gjithë veprimtarinë e saj respekton liritë dhe të drejtat e fëmijëve sipas Konventës të Drejtave të Fëmijëve (OKB)-sё.Shkolla ushqen tek nxënësit ndjenjën e atdhedashurisë, patriotizmit, harmonisë sociale dhe vlerat morale – islame.

Për tu njohur më në detaje rrëth kësaj vatre dije dhe kulture që sponsorizohet nga shoqata “Istanbul” dhe nga ente të tjera të qeverisë turke ne intervistuam në ambientet e kësaj medreseje, drejtorin e përgjithshëm, z. Kujtim Dervishi… 

***

Z. Dervishi, ju keni  vite që shërbeni në këtë detyrë, a mund të na thoni se si kanë qenë për ju këto vite, por edhe një rezyme për paraardhësit tuaj që kanë kontribuar në këtë vatër të dijes dhe kulturës fetare dhe kombëtare?

Ju falëminderit zotëri Halluni për mundësinë që më jepni të shprehem nëpërmjet kësaj interviste në TRT. Sigurisht, të punosh në medrese është sa privilegj është edhe një obligim shumë i madh qoftë zyrtar, profesional, e mbi të gjitha obligim fetar. Fillimi nuk ishte i lehtë, për arsye sepse unë vija nga një sistem arsimor laik. Drejtoja institucione arsimi në shkallë rrethi dhe shkolla të rëndësishme të qytetit. Megjithatë tradita familjare e besimit dhe eksperienca e madhe që kisha në drejtim ma mundësoj që menjëherë të përshtatem në drejtimin e medresesë. Pa dyshim medreseja e Shkodrës është një nga medresetë që trashëgon traditën e mrekullueshme të medreseve më të vjetra të këtij qyteti, të cilat kanë mbetur në kujtesën e qytetarëve dhe në kujtesën popullore, edukative dhe arsimore. Në këtë medrese kanë punuar gjithnjë personalitete të shquara në shërbim të edukimit të e brezave me një traditë të mrekullueshme shqiptare dhe në frymën e lartë të Islamit. Kësisoj, është krijuar një traditë e lartë e besimit islam dhe është pikërisht kjo arsyeja që në fillimet e para, pas hapjes së besimit islam dhe pas rënies së rregjimit komunist menjëherë pasi u krijua Komuniteti Mysliman, me inisiativën e një grupi intelektualësh si dhe me ndihmën e kryetarit të asaj kohe, Hafiz Sabri Koçi dhe myftiut të parë të Shkodrës, Haxhi Faik Hoxha u bë e mundur edhe hapja e institucionit të medresesë.

Pa mëdyshje kjo qe një ngjarje e shënuar dhe e një rëndësie të veçantë. Fillimet nuk ishin të lehta. Kushtet materiale qenë të veshtira. Mungonte infrastruktura e domosdoshme për funksionimin normal të procesit mësimor e edukativ. Pra me një fjalë, ishte vullneti dhe dëshira e mirë e të gjithë mësuesve dhe e drejtuesve  që punuan me përkushtim për ta çuar përpara punën e shkollës…

-Mendoj se pa ndihmën dhe donacionet nga institucionet turke siç është p.sh; shoqata e mirënjohur “Istanbul”, etj, kjo shkollë madhe nuk do të kishte arritje që tashmë janë edhe publike, a mund të thoni diçka më konkretisht rreth këtyre bashkëpunimeve dhe kontributeve nga miqtë tanë të Turqisë?

Sigurisht, para se të them për këtë çështje të rëndësishme të vërtetë, që është leva e Arkimedit për këtë institucion arsimor të shërbimit para universitarë, unë do të theksoj në një retrospektive të shkurtër, të një historie të krijimit të medresesë dhe ku jemi si 25 vite me parë!. Medreseja filloi si një institucion i thjeshtë, pa pretendime, pra thjeshtë nga dëshira e besimtarëve (filloi) me 2 klasa me 60 nxënës. Sot, ky institucion fetarë dhe arsimorë është me 45 klasa dhe 1100 nxënës. Për herë të parë kemi mundësuar që në medrese, ndoshta ky është dhe rast unikal të mësojmë edhe nxënës të ciklit të ulët(fillorja). Është ndër shkollat më të mëdha për profilin fetarë. Për kuriozitet, para disa kohëve kam marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare në Stamboll si dhe në një konferencë ndërkombëtare në Ohër dhe ishin të ftuar të gjithë drejtuesat e medreseve nga shtete të ndryshme të Europës apo të Bashkimit Europian dhe rezultoi se Medreseja e Shkodrës ishte medreseja me numrin më të madh të nxënësve. Ndërsa, në Shqipëri është një veprim i thjeshtë aritmetik: Sa ka medreseja e Shkodrës nxënësa aq kanë medresetë e tjera së bashku.

Medreseja “Haxhi Sheh Shamia” është një institucion që ka rezultate të larta, që ka një shërbim të përktyer, që ka arritë në një performancë dhe që ka arritë në rrezultate të larta në 150 shkollat e qytetit të Shkodrës.

Si mbështetet kjo shkollë? Është pikërisht  shoqata “Istanbul” që në sajë të mbështetjes së gjithëanshme kemi tre godina madhështore që përmbushim të gjitha kushtet për kohën, kabinete mësimore, laboratore për shkenca të natyrës,  laboratore të informatikës, konviktin falas si dhe xhaminë e shkollës që është një nga xhamitë më të bukura të qytetit, Gjithashtu kemi dhe Qendrën e Hafizave që është shtuar tani në sajë të investimit nga shoqata “Istanbul”, Bashkia e Uskudarit dhe TIKA. Për këto kontribute dhe për mbështetjen financiare të vazhdueshme dhe progresive ndaj medresesë, dua të falënderoj vëllezërit tanë turq, intitucionet e lartë përmendura si dhe fondacionin “Mahmud Hyday Vakëf” me qendër në Stamboll,

Pra, mirënjohje për gjithëçka kanë bërë, jo vetëm me financat , por edhe për frymën harmonike tradicionale islame, vizionin e qartë dhe të pastër si dhe filozofinë bashkëkohore të drejtimit që kanë orientuar medresenë e Shkodrës.

-Cilat mund të veçoni disa nga aktivitetet  dhe arritjet e kësaj medreseje?

Nëse flasim për arritjet, është vetë fakti që kjo shkollë është e renditur me meritë në tre gjimnazet më të mira dhe kjo tregon se këtu ka rezultate. Një shkollë si kjo, bëhet nga infrastruktura, laboratoret, ngrohja qëndrore, ngrohje alternative dhe gjithëçka të nevojshme. Stafi pedagogjikë që është një nga më të kualifikuarit dhe më të përzgjedhurit në rreth, pa diskutim dhe sigurisht më i paguari, 30% më shumë se shkollat e tjera. Për këtë falënderoj përsëri shoqatën “Istanbul” që në mënyrë përmanente ka qënë koherente me qeverinë shqiptare, e cila sa herë ka bërë ndryshime për rritjen e pagave, menjëherë kemi qënë istitucioni i parë që ka zbatuar këtë preference të Këshillit të Ministrave. Sigurisht rezultatet janë të pafund, për këtë shkollë kemi mjaftë se çfarë të bëjmë, por do të preferoja të thosha se medreseja ka çdo vit 150 maturanta dhe të gjithë shkojnë në shkollën e lartë dhe në degët që ato preferojnë qoftë brenda shtetit, kryesisht në universitetet shtetërore në Tiranës apo edhe private, por edhe në universitetin “Luigj Gurakuqi”. Kemi rreth 30 % që studiojnë kryesisht në Turqi, në  vendet e Bashkimit Europian, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe në Arabi. Studentët që shkojnë me studime në Turqi,  përsëri shoqata “Istanbul” merr përsipër të gjitha financat. Më pyeti një ditë një mike; Ju mbështesni vetëm ato nxënës që shkojnë për studime fetare?, -Në asnjë mënyrë, kjo është një shkollë e standarteve europiane, ofron shërbim arsimor shkencorë dhe kjo është arsyeja që kjo shkollë është nga më të kërkuarat. Ne bëjmë edhe një konkurs në fillim të vitit dhe e kemi të vështirë të bëjmë përzgjedhjen, sepse na mbesin shumë nxënës pa pranuar dhe kjo është dhimbje për ne, por inshAllah shpresojmë të vazhdojmë në ato synime që kemi për të ardhmen, duke bërë dhe presion pozitiv tek shoqata dhe te donatorët që të mund të rrisim kompleksin e procesit mësimor – edukativ  me godina të reja që fillon nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën. Vetëm në fillore kemi 250 fëmijë, ky është një rast unikal, kjo e bënë shumë interesante procesin mësimorë, bile kur shkojmë me drejtues të shkollave të tjera në takime, në simpoziume dhe konferenca thojnë: Si ka mundësi që ju e keni hapur arsimin fillorë dhe e keni bërë realitet?! Është kjo arsyeja që jo vetëm prindërit, komuniteti, por edhe shoqata “Istanbul” e vlerëson procesin mësimorë përderisa vazhdon ta mbështesë me kaq seriozitet. Institucionet e shtetit dhe institucionet islame, duke filluar me bashkësitë islame e deri te myftinia e Shkodrës e kanë vlerësuar për rezultatet e larta. Një vlerësim i lartë për medresenë e Shkodrës ka ardhur edhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, i cili i ka dhënë shkollës me rastin e 15-të vjetorit të saj medaljen: Urdhëri “Naim Frashëri” i Artë, që është më e larta e këtij lloji për arsimin, duke vazhduar me vlerësimin e myftinisë së Shkodrës, “Mirënjohja e Qytetit” dhënë shkollës, stafit pedagogjikë dhe katër drejtuesve që kanë drejtuar, përfshijë edhe veten time. Po kështu edhe Komuniteti Mysliman i ka dhënë çertifikatën “Pishtari i Dijes”. 

Përveç saj, shkolla ka një program të gjerë veprimtarish jashtë mësimi, ku janë angazhuar nxënësit dhe drejtohen nga mësuesit sipas lëndëve dhe profileve. Zhvillohen veprimtari: fetare, letrare, muzikore, sportive dhe shkencore në lëndë të ndryshme. Mjaft nga veprimtarite e organizuara nga medreseja janë bërë në bashkëpunim me myftininë, me universitetin, shoqaten “Istanbul”, institucione dhe specialistë të shquar të arsimit në rreth e atij kombëtar. Medreseja jonë përfaqësohet në të gjitha olimpiadat dhe konkurset si ajo e letërsisë, e matematikës, e fizikës, e biologjisë dhe e kimisë dhe të lëndëve fetare, duke u radhitur në çdo vit shkollor nga vendi i parë në të tretin, në shkallë rajonale dhe kombëtare.

Medreseja zhvillon rregullisht ekskursione dhe shëtitjenë qytetet e Shqipërisë si dhe në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni, Turqi, etj.

-Si janë raportet dhe bashkëpunimet me shkolla të tjera të qytetit, por jo vetëm, sidomos me shkollat e komuniteteve të tjera që përçojnë edhe ata mësimet, kulturën fetare dhe kombëtare?

Kjo është një pyetje me vend, dhe do të jemë serioz dhe i drejtëpërdrejtë. Jetojmë në një qytet që shquhet për tolerancën fetare, për kulturën, për bashkëjetesën dhe në harmoni. Unë mendoj se nëse me thoni ju se çfarë ka pika të forta apo pika të dobëta kjo shkollë, mendoj se është një nga pikat e forta fakti se ne bashkëpunojmë me të gjitha shkollat. Kjo vjen ndoshta nga fakti që ka drejtues të vjetër me ekperiencë qoftë te dega e djemve apo qoftë te dega e vajzave, të cilët kanë krijuar një personalitet arsimorë të spikatur, pedagogjikë dhe profesional. Sa herë që dalin udhëzime, urdhëra dhe vendime për zbatimin e  reformës së re në arsim, dokumentacionin që shoqërojnë reformat bën që shumë drejtues shkollash të vijnë tek ne për ta marrë eksperiencën tonë dhe pa hezitim i ndihmojmë të gjithë, pa kufi.

Nga ana tjetër, organizojmë seminare dhe aktivitete të përbashkëta me shkollat e besimit katolik si me  shkollën “Maria Ndihmëtare”, me shkollën  “Zoja e Këshillit të Mirë”, dhe veçanërisht me kolegjin  “At Pjetër Meshkalla”. Kemi dhe një projekt të përbashkët “Edukimi Kombëtarë, Fetarë dhe Qytetarë në Shqipëri”, aktivitet të cilin e ka mbështet Ambasada Amerikane në Tiranë dhe ka sponsorizuar shoqata “Istanbul”. Shkurt, jemi në një gjatësi vale që drejtuesit fetarë kur flasim për bashkëpunimin dhe bashkëjetesën fetare duhet të përmendim edhe medresenë e Shkodrës që është në bashkëpunim me shkollat e komuniteteve të tjera fetare.

-Cilat është perspektiva dhe synimet e ardhshme të medresesë?

Së pari kemi një synim themelorë: përgatitjen e nxënësve, të aftë, qytetarë, të denjë dhe besimtarë të devotshëm me bindje islame për të përballuar sfidat e jetës, veçanërisht në këto kohë të trazuara që po kalon shoqëria jonë në tranzicion. Ky është një synim themelor, por që mbështetet në disa objektiva. Objektivi i parë është që vazhdimisht shkolla jonë të renditet në 3 vendet e para në hartën e shkollave në shkallë rajonale, por edhe në shkallë kombëtare, megjithëse këto nuk i diskutojmë, sepse vazhdimisht fitojmë në olimpiada. Kemi vendin nga i pari deri në të tretin në shkallë rajonale dhe kombëtare. Kemi dhe nxënës që kanë përfaqësuar shtetin shqiptar në olimpiada botërore. Ky është një sukses i mederesesë, këtë e dëgjon Shkodra, e dëgjojnë shkodranët, por jo vetëm… Fakti që kemi nxënës me një gjeografi të hapur, e cilësoj këtë dhe më pëlqen ta them se është një pikë e fortë. Kemi nxënës nga Malësia e Madhe, Korça, Ulqini, Tetova, Shkupi, Kumanova, Gerçova, Prishtina, Prizreni, Gjilani, etj. Më bëhet qejfi këtu, sepse me të vertetë rregjimi komunist i persekutoj edhe medresetë, ne e kemi marrë veten kaq shpejt sa që neve po na troket dera pa pushim, megjithëse kanë medresetë e tyre të qëndrueshme e të forta, përsëri preferojnë të vijnë tek ne. Pse? Sepse, këtu ka llogari, ka seriozitet, ka qetësi, ka besim, ka arsim, ka edukim dhe të ardhme…

-Z. Dervishi, meqenëse ke disa vite që drejtoni këtë medrese, bile jeni më i vjetri deri më tani, si e ndjeni këtë drejtim disa vjeçar?

Në fakt kur është rihapë medreseja unë kam qënë drejtues në një shkollë tjetër, pikërisht në shkollën “Ismail Qemali”, të cilën e kam drejtuar për 20 vite dhe pastaj e kam ëndërruar punën e medresesë, bile kur visha për inspektim nga drejtoria rajonale e arsimit për vlerësimin e shkollës ndjeja kënaqësi dhe thosha “ah sa lezet ashtë me punu në këtë shkollë”.  Atëherë me ardhjen time në ketë shkollë e kuptova se kjo vatër dije me këto kushte që ka, me ketë financim kërkon lëvizje më të mëdha force dhe ndryshimi. Nuk do të harrojë këtu të përmend edhe shprehjen e udhëheqësit shpirtëror të shoqatës “Istanbul” dhe “Qytetarit të Nderit të Shkodrës”, Osman Nuri Topbash që e ka lënë si amanet: ”Mësoni, mësoni, mësoni, sepse medresistat janë e ardhmja e ndritur e qytetit të Shkodrës”.

-Në fund, duke marrë parasysh se ky program i përcillet dëgjuesve të Radios “Zëri i Turqisë” dhe vizitorëve të portaleve të TRT-së, cili do ishte mesazhi i juaj?

Me Turqinë dhe me turqit kemi lidhje shumë të vjetra bashkohore të kohës. Unë i përkas një bashkëshorteje me origjinë turke, por edhe për atë çfarë kemi dëgjuar nga prindërit tonë, nga njerëzit që kanë shkuar të shërbejnë jo vetëm ushtarakisht, familjet ku kanë vdekur atje, janë varrosur po atje, etj, etj…Pra, kemi një lidhje të gjakut, lidhje shpirtërore, kemi lidhje administrative dhe kulturore. Ne e kemi një detyrim t’i themi: Ju falëminderit që jeni miqtë tonëkemi shpresën tek ata, sepse e djejmë se jemi në rrugë të sigurtë dhe nuk zhgënjehemi.

Me këtë audiencë dua të përfshijë edhe Presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ngase është dhe mik i shkollës, të cilën para dy viteve, gjatë inagurimit të godinës së re të ciklit fillor në një video-konferencë në Turqi e ka përshëndetur dhe vlerësuar medresenë e Shkodrës “Haxhi Sheh Shamia”…

Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –

Aktualitet

Archives