Në Korçë vijonë bisedimet midis ministrave të jashtëm Bushati dhe Kotzias

Në Korçë  vazhdon takimi mes ministrit të jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe homologut grek, Nikos Kotzias në përpjekje për t’i dhënë zgjidhje një sërë problemesh të mbetura pezull mes dy vendeve.

Pronat e kishës ortodokse mësohet se ishte dosja e parë të premten në tryezën e ministrave dhe stafeve, teksa të shtunën nisi diskutimi për çështjen çame dhe minoritetet.

Kufiri detar, është dosja që ka zhvillime pozitive, pasi mediat greke kanë raportuar se kryeministri Tsipras ka vënë prillin 2018 si afat për një marrëveshje mes dy shteteve.

Mesazhet e paqes janë lëshuar prej kohësh, ndërsa qeveria shqiptare ka ndërmarrë edhe hapa konkrete siç është miratimi i varrezave në Dropull.

Bisedimet që zgjasin për tre ditë, nga e premja deri të dielen, po mbahen në një hotel të vogël privat në qytetin juglindor, i vënë plotësisht në dispozicion të delegacioneve zyrtare të Tiranës e Athinës.

Ky raund i ri, pason takimin e ngjashëm në ishullin grek nga 10 deri më 12 nëntori i vitit 2017, ku edhe pse nuk pati rezultate konkrete palët shfaqën optimizëm dhe theksuan rëndësinë e dialogut.

Të shtunën, Kotzias ka vizituar  Katedaralen e Korçës, më pas ka zhvilluar një vizitë tek Mësonjëtorja dhe tek Konsullata greke.

Në orët e pasdites së shtunës, ministri i jashtëm grek vizitojë muzeun ikonografik dhe më pas mori pjesë në koncertin e grupit Liria, tek muzeu Bratko.

Mësohet se deri më tani dy minstrat Bushati dhe Kotzias kanë diskutuar për çështjen çame, ligjin e luftës, çështjen e kufirit detar, varrezat e ushtarëve grekë dhe minoriteti grek në Shqipëri.

Nga ana tjetër, një grup aktivistësh të shoqërisë civile kanë protestuar dje në vendin e quajtur Lendina e Lotëve, pak metra larg hotelit, pikërisht në ditën e dytë të bisedimeve midis ministrit Bushati dhe ministrit grek Kotzias.

Protestuesit kërkuan nga ministri Bushati të bënte pjesë të axhendës së bisedimeve me homologun grek edhe çështjen e 100 shqiptarëve të varrë e të masakruar në burgjet greke, të cilat kanë mbetur ende pa u zbardhur dhe autorët nuk janë ndëshkuar

Aktivistët mbanin në duar pankarta ku shkruhej: “Drejtësi për bijtë e shqiptarëve”,  “Nuk mund ta fshini kurrë të vërtetën”, “Pse hesht zoti Ministër!”, “Greqi dëno vrasësit e Pëllumb Mark Nikollaj!”…

Edhe aktivistë te tjerë të shoqërisë civile apeluan diplomacinë shqiptare që para se të diskutojnë me autoritetet fqinje ngritjen e varrezave greke ne territorin shqiptar të ngrenë zërin për të drejtat e qytetarëve të tyre.

Protesta ishte paqesore dhe u mbajt për gati 30 minuta duke u mbikqyrur në distancë nga policia e Korçës.

 

Aktualitet

Archives