Ministri Bushati: 2018-ta, përcaktues për Shqipërinë dhe Maqedoninë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti në takim Zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë për Çështjet Evropiane, Bujar Osmani.

Dy bashkëbiseduesit u ndalën me përparësi në nevojën e nxitjes së bashkëpunimit dypalësh e rajonal, veçanërisht në kuadër të angazhimit të dy qeverive në mbledhjen e Pogradecit për ngritjen e marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase në një stad të ri cilësor dhe ndërtimin e një rajoni evropian në përputhje me angazhimet e Samitit të Triestes dhe qëllimin e përafrimit me Bashkimin Evropian. Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut u konsiderua si një mundësi për evidentimin e trashëgimisë kombëtare, jo vetëm si vektor identiteti, por vlerë e përbashkët evropiane mes dy vendeve.

 

Në fjalën e tij kryediplomati shqiptar nënvizoi se viti 2018 do të jetë vendimtar.

“…Si ne ashtu dhe Maqedonia presim që 2018 të jetë një vit përcaktues për rrugën tonë të mëtejshme në procesin e integrimit europian. Shpresojmë që për Maqedoninë të jetë edhe përsa i përket procesit të anëtarësimit në NATO. Kjo pritshmëri e jona bazohet ne stadin e reformave, përpjekjet që kemi bërë gjatë kësaj periudhe dhe gjithashtu këto pritshmëri bazohen edhe mbi pritshmëritë që kanë qytetarët tanë që janë nxitësit kryesore të reformave që ne kemi ndërmarrë…”.

 

Gjithashtu edhe zv/kryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani u shpreh se strategjia e Europës për Ballkanin Perëndimor nuk mund të jetë e besueshme pa Shqipërinë dhe Maqedoninë.

“…Maqedonia dhe Shqipëria gjenden përpara sfidave historike. Ne në Maqedoni 2018 e kemi shpallur një dritare të artë të oportunitetit për të bërë një hap drejt integrimit në BE dhe në NATO. Kemi disa pika të rëndësishme në 2018, e para është ajo e strategjisë për zgjerim e titulluar strategji kredibile për Ballkanin Perëndimor. Kjo strategji nuk mund të jetë kredibile pa pasur Maqedoninë dhe Shqipërinë brenda në të. Rajoni duhet të rrugëtojë bashkë në këtë proces bazuar në meritat e secilit shtetit…”. 

 

Në kuadrin e zhvillimeve të ardhshme të këtij gjashtëmujori, dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se Strategjia e pritshme e KE-së dhe kryesia bullgare e Bashkimit Evropian përbëjnë një moment me rëndësi të veçantë për rigjallërimin dhe nxitjen e perspektivës së zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

 

Më herët zv.kryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani u takua me presidentin e Republikës, Ilir Meta si edhe me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha. Në fokus të bisedave të zhvilluara mes tyre, ishte bashkëpunimi mes dy shteteve dhe miratimi i ligjit të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore të Maqedonisë.


Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe përmirësimin e klimës së besimit të ndërsjellë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, në interes të integrimit euro-atlantik të vendit.

Presidenti Meta shprehu angazhimin e tij për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, në interes të dy vendeve dhe perspektivës evropiane të rajonit.

 

 

Aktualitet

Archives