Krerët shtetërorë të Shqipërisë dhe Kosovës mirëpresin ligjin e gjuhëve në Maqedoni

Krerët shtetërorë të Shqipërisë dhe Kosovës kanë mirëpritur vendimin e Kuvendit të Maqedonisë për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve…

 Krerët shtetërorë të Shqipërisë dhe Kosovës kanë mirëpritur vendimin e Kuvendit të Maqedonisë për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me 69 vota “pro”, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratoi ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Me ligjin për përdorimin e gjuhëve, siç bëjnë të ditur nga Ministria e Drejtësisë, parashikohet që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror të Maqedonisë, krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe alfabeti i saj, që në këtë rast është gjuha shqipe.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, miratimin e këtij ligji e quajti si arritje historike për shqiptarët.

“Miratimi nga parlamenti në Shkup i ligjit të gjuhës shqipe (ligjit për përdorimin e gjuhëve) një arritje historike për shqiptarët që demokratizon e forcon vetë Maqedoninë”, tha Rama.

Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale shkruan: “Mora lajmin e gëzueshëm se Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe(ligjit për përdorimin e gjuhëve). Një akt i rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë.”

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, siç thuhet në një njoftim të kryeministrisë, ka theksuar se ligji i gjuhëve i jep gjuhës shqipe hapësirë më të madhe përdorimi në të gjitha institucionet e këtij vendi.

“Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë është lajm i gëzueshëm dhe arritje e madhe për të gjithë shqiptarët. Njëkohësisht, është hap i rëndësishëm për tërë rajonin dhe të ardhmen euroatlantike. Ndërtimi i harmonisë ndëretnike promovon paqe dhe stabilitet rajonal. Maqedonia sot e ka konfirmuar vullnetin dhe gatishmërinë për ndërtimin e një të ardhme të ndritur për të gjithë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Miratimi i ligjit për gjuhët është mirëpritur edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili përmes një mesazhi në rrjetet sociale tha se “Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare nga Parlamenti i Maqedonisë është një e arritur e lartë demokratike për këtë shtet fqinj, që ndër të parët njohu pavarësinë e Kosovës”.

Duke theksuar se “Rritja e të drejtave politike të shqiptarëve në Maqedoni garanton edhe më shumë unitetin qytetar dhe etnik të republikës fqinje”, Thaçi ka përgëzuar qytetarët shqiptarë për këtë të arritur politike, administrative dhe kulturore.

“Miratimimi i këtij ligji është një hap i rëndësishëm i zbatimit të Marreveshjes së Ohrit dhe forcon edhe më shumë bashkëjetesën dhe perspektiven evropiane të Maqedonisë”, ka theksuar më tej Thaçi.

Aktualitet

Archives