Bushati: Qëndrimi për Jerusalemin ishte konsultuar më parë edhe me Presidentin

Programi Axhenda shqiptare:

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati tha se qëndrimi i vendit të tij për shumë çështje nuk ka ndryshuar që nga vitit 2006, duke përfshirë edhe qëndrimin ndaj çështjes palestineze.

-Ministri Bushati: Qëndrimi i Shqipërisë për Jeruzalemin ishte konsultuar më parë edhe me Presidentin

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati në një intervistë mediatike për emisionin “Tonight”, i bëri thirrje opozitës shqiptare të mos dëmtojë vendin, duke penguar hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Kjo periudhë, sipas Bushatit është shumë e rëndësishme për integrimin e Shqipërisëdhe partitë politike duhet të qëndrojnë në lartësinë e kërkuar. Bushati tha se nuk ka asnjë kusht shtesë për negociatat përveç 5 prioriteteve.

Lidhur me bisedimet për çështjet e hapura me Greqinë, Bushati i përmblodhi të gjitha temat që janë aktualisht në tryezë.

“…Paketa e luftës është e qartë për secilin që përfshin pronat, çështjen çame, çështja e varrezave apo e vendprehjes së të rënëve, ushatarëve grekë gjatë luftës së dytë botrërore këtu e kështu me radhë. Së dyti, çështjet e aktualitetit, që kanë të bëjnë me të drejtat epakicave kombëtare, në rastin konkret pakicës kombëtare greke, me të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Greqi, me çështjet konsullore, për të vazhduar me lejet e drejtimit të automjeteve, për të vazhduar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe çështja e tretë apo çështjet me një vështrim nga e ardhmja, çështjet që kanë të bëjnë me zgjidhjen përfundimtare të regjimit kufitar…”

Ministri Bushati tha se qëndrimi i Shqipërisë për shumë çështje nuk ka ndryshuar që nga viti 2006. Ai deklaron se ka pasur ftesa nga presidenti i Turqisë, Erdogan dhe ministri i Jashtëm turk, Çavushoglu  për çështjen e Jerusalemit…

“…Për statusin e Jerusalemit ka një konsensus ndërkombëtar 70 vjeçar. Qëndrimet e Shqipërisë për këtë rezolutë nga 2006 e deri më sot kanë qenë krejt të njëjta…

Duke qenë se për këtë çështje ka pasur një ftesë nga Presidenti Erdogan drejtuar Presidentit Meta dhe një ftesë tjetër nga Çavushoglu drejtuar ministrit të Jashtëm shqiptar, ne kemi bërë sugjerimin tonë përkatës,  jo vetëm për nivelin e përfaqësimit në Konferencë, por edhe për qëndrimin që do të mbajmë. Për këtë, Presidenca nuk ka pasur asnjë kundërshti.Ky qëndrim është reflektuar edhe disa ditë më vonë në rezolutën e OKB, e cila nuk është një rezolutë anti-Trump…”

***

– Kotzias: Kemi ndërmarrë hapa të mirë dhe pozitivë me Shqipërinë

“…Ky vit do të jetë një vit ku do të fokusohemi në zgjidhjen e çështjeve të politikës së jashtme që kanë qënë në ngërç për dekada me radhë dhe për të cilat interesat e vendit na kërkojnë të gjejmë zgjidhje të mira dhe produktive…”, ka deklaruar para pak ditëve ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, pas përfundimit të mbledhjes së kabinetit të kryesuar nga kryeministri Aleksis Cipras.

Ne zhvilluam bisedime mbi çështjet e Ballkanit, për mënyrën se si të zhvillojmë më tej bashkëpunimin me vendet e tjera të Ballkanit dhe se si të kontribuojmë për një prosperitet më të madh dhe një riorganizim produktiv në fusha të ndryshme brenda Ballkanit”, tha Kotzias, duke shtuar se në veçanti u zhvilluan diskutime për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Lidhur me Shqipërinë, Kotzias deklaroi se diskutimet ishin zhvilluar rreth çështjeve të cilat ishin përfshirë në paketën e zgjidhjeve me vendin fqinj.

”Kemi ndërmarrë hapa të mirë dhe pozitivë me Shqipërinë gjatë javëve të kaluara”, deklaroi Kotzias.

***

-Ambasadori serb në Tiranë e thotë shqip: Kosova është dhe do të jetë Serbi!

Ambasadori i Serbisë në Shqipëri Miroljub Zariç në një deklatë provokuese, pas një aktiviteti në Malësi të Madhe e quan Kosovën pjesë të Serbisë dhe për këtë shtet nuk ka alternativë tjetër.

Ai në një prononcim mediatik shkonë më tej, duke deklaruar se Kosova nuk është e pavarur dhe Serbia nuk njeh situatën aktuale që mbi 100 shtete kanë bërë.

“…Pozicioni i Serbisë është shumë i qartë, për ne Kosova dhe Metohija është pjesë e territorit të Serbisë dhe nuk ka mundësi dhe asnjë mundësi për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kosova dhe Metohia kanë qenë Serbi, akoma janë dhe do të vazhdojnë të jenë. Për ne nuk është shtet i pavarur dhe nuk do të jetë….Jo. Serbia ka orientim strategjik për anëtarësim në BE si Shqipëria. Serbia është shtet sovran, ka qeveri, kuvend dhe president dhe pozicioni jonë është shumë i qartë. Nuk komentojmë Shqipërinë me territor tjetër”.

Nga ana tjetër, ambasadori serb vlerëson miratimin e ligjit për pakicat në Shqipëri  dhe e sheh si hap pozitiv për të ardhmen.

***

Myftiu i Metropolit Verior vizitoi Qendrën Kulturore Turke “Yunus Emre”

Paraditën e së hënës, më 8 janar 2018, myftiu i Shkodrës, imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një vizitë në Qendrën Kulturore “Yunus Emre”, ku u prit nga drejtori i saj, z. Zafer Kiyici.

Me këtë rast, drejtori i institutit turk, “Yunus Emre”, Shkodër, e falënderoi myftiun për vizitën dhe e prezantoi atë me aktivitetet e larmishme që zhvillon kjo qendër kulturore, si dhe pritshmëritë për të ardhmen.

Nga ana e tij, myftiu falënderoi kontributet e mëdha të shtetit turk për Shqipërinë, sikurse theksoi se prania e Qendrës Kulturore “Yunus Emre” ka një rëndësi të veçantë në forcimin e mëtejshëm dhe ruajtjen e lidhjeve shekullore në mesin e dy popujve dhe dy vendeve…

Myftiu theksoi se lidhjet e forta të besimit dhe kulturës, kanë dominuar dhe do të dominojnë përherë mbi çdo përpjekje për lëkundjen e tyre.

Ai falënderoi gjithashtu qëndrimet e lavdërueshme të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan në lidhje me interesat madhore të ymetit islam dhe përpjekjet në këtë drejtim.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për rrugët dhe mënyrat e bashkëpunimit në mesin e dy institucioneve.

***

-Qendra për Miqësi dhe Zhvillim Shqipëri-Turqi reagon për ngjarjen në Mirditë

Vendosja e simbolit të flamurit turk në digën e hidrocentralit të Qafë Mollës, në Mirditë ka revoltuar disa qytetarë të zonës së Mirditës, të cilët u ngritën në protestë në ditën e fundit të vitit 2017, ndërsa policia e shtetit ka arrestuar disa protestues  për veprime të kundraligjshme.

Ata kanë deklaruar se diga nuk është seli diplomatike që lejon betonizimin e simboleve. Banorët kanë protestuar të bashkuar nën thirrjet “Partia jonë është Mirdita”.

Simboli i flamurit turk në digën e hidrocentralit të Qafë-Mollës në Mirditë ishte vendosur nga firma turke që ka ndërtuar këtë vepër energjetike, sipas marrëveshjeve zyrtare me qeverinë shqiptare.

Ndërkohë, ka reaguar edhe Qendra për Miqësi dhe Zhvillim Shqipëri-Turqi rreth incidentit të ndodhur, e cila në deklaratën e saj ka përmendur miqësinë tradicionale që i karakterizon këto dy vende.

“Qendra për Miqësi dhe Zhvillim Shqipëri-Turqi ka ndjekur me shqetësim ngjarjen e 31 dhjetorit 2017 në hidrocentralin e Qafë Mollës në Mirditë, ku një grup i organizuar prej dhjetëra qytetarësh kanë protestuar e më pas dëmtuar me dhunë simbolin e flamurit turk të murosur nga firma ndërtuese e hidrocentralit.

QMZH Shqipëri-Turqi është promovuese e vlerave historike midis dy popujve, shqiptar e atij turk. Ne jemi të vetëdijshëm për lidhjet historike, kulturore dhe në shumë raste farefisnore në të kaluarën dhe të tashmen midis dy popujve tanë, ashtu siç jemi të vetëdijshëm për realitetin e tanishëm si dy vende partnere strategjike, anëtare në NATO dhe aspirantë për anëtarësim në Bashkimin Europian, si hapësirë e manifestimit më të mirë bashkëkohor të vlerave të qytetarisë dhe demokracisë shembullore.

Kësisoj mendojmë që nuk është në nderin e as dobinë tonë që problemet teknike apo juridike, shpesh të shkaktuara edhe nga infrastuktura e pamjaftueshme e aparatit shtetëror si rregullator i marrëdhënieve specifike të biznesit në hidrocentralin në fjalë, të trajtohen me mentalitete tribale të periudhave mesjetare, ndërkohë që popujt tanë kanë treguar me dinjitet se janë mëse të aftë të krijojnë shtete e shoqëri ku mbizotëron gjuha e ligjit, arsyes dhe mirëkuptimit me urtësi.

U bëjmë thirrje drejtuesve të zonës, me atribute fetare, politike, intelektuale, shtetërore e ligjzbatuese që ta trajtojnë këtë incident me seriozitet, qetësi e vendosmëri, duke mos lënë shkas për episode të panevojshme që cënojnë miqësinë tradicionale midis dy popujve tanë, larg retorikave boshe mesjetare, ultra nacionaliste e madje edhe fetare, që nuk shkojnë aspak me vizionet e përbashkëta europiane.”, përfundon deklarata e Qendrës për Miqësi dhe Zhvillim Shqipëri-Turqi.

***

-ALSAR solidarizohet me shtresat në nevojë

Fondacioni “ALSAR” me mbështetjen financiare të partenerëve nga Turqia në kuadër të zhvillimit të veprimtarive humanitare realizoi në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, projektin “Solidariteti human në ndihmë të njerëzve në nevojë gjatë stinës së dimrit”, nëpërmjet të cilit u synua dhurimi i një kontingjenti ndihmash në artikuj veshmbathjeje, për të kontribuar sadopak në lehtësimin e vështirësive të tyre ekonomike.
Ky projekt u realizua në koordinim me Drejtorinë e Shërbimeve Sociale në bashkinë Tiranë, respektivisht në Qendrën Sociale Multidisiplinare Nr .9 dhe Qendrën Sociale Multidisiplinare Nr.6.

Nga zbatimi i këtij projekti përfituan artikuj veshmbathjeje, 200 persona të grupmoshave të ndryshme, që trajtohen me ndihmë nga institucionet e përkujdesjes sociale të bashkisë Tiranë.

Përfituesit e këtyre ndihmave falënderuan fondacionin “ALSAR”, si dhe donatorët nga Turqia.

Aktualitet

Archives