BE-ja Tiranës: Reforma në drejtësi është në dorën e ligjvënësve shqiptarë

Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin në fjalën që mbajti të hënën në një konferencë tha se reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme dhe se është në dorën e ligjvënësve shqiptarë për ta miratuar atë.

-Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian organizuan të hënën në Tiranë konferencën me titull “Reforma në drejtësi, një parakusht për nxitjen dhe tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri”.

Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin tha në fjalën e saj se reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme dhe se është në dorën e ligjvënësve shqiptarë për ta miratuar atë.

Romana Vlahutin tha se sistemi aktual i drejtësisë është bërë i pabesueshëm dhe për këtë arsye duhet të ndryshojë. “Nuk ka besim në sistemin aktual të drejtësisë, kjo duhet të ndryshojë. Vendi nuk mund të ecë përpara më këtë sistem drejtësie”, tha Vlahutin.

Znj. Vlahutin theksoi se ekziston një vullnet i madh për ta votuar atë, por mbetet në zgjedhjen e ligjvënësve. Sipas saj, duhet patur parasysh që kjo reformë kërkon vullnet e kurajo politike, pasi është një reformë gjithëpërfshirëse.

Zëvendësambasadori i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, David Muniz, tha se ekziston mosbesimi se nuk do të ketë një gjykim të drejtë nga Gjykatat shqiptare dhe ka një perceptim se ky vend i shërben të korruptuarve.

“Opsioni i parë, bëhet fjalë për një proces shumë të shtrenjtë dhe duhet të kemi parasysh se e gjithë kjo situatë dëshmon reputacionin e Shqipërisë para investitorëve të huaj”, tha Muniz. Sipas tij, kjo ka një impakt shumë negativ në klimën e biznesit të huaj. “Duhet të kuptojmë se është e nevojshme që të kemi procedura ligjore të drejta për të gjithë. Kompanitë e huaja konstatojnë se ka mungesë transparence dhe profesionalizmi në trajtimin gjyqësor që i bëhet çështjeve të tyre, gjë që i dëmton këto kompani”, u shpreh diplomati amerikan.

Një tjetër çështje për rritjen e besueshmërisë së investimeve të huaja, tha Muniz, është ajo e pronave, për të cilën investitorët konstatojnë se karakterizohet nga një situatë kaosi. “Është e pabesueshme se problemet e pronave zgjasin pafundësisht dhe për to ka pretendime të shumëfishta nga palë të ndryshme. Kaosi është një tjetër pengesë që i shqetëson investitorët e huaj. Ndaj ne bëjmë thirrje që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë të shpejtë dhe të qartë dhe për këtë kërkohet vendosmëri”, tha zv/ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Muniz.

Zëvendësambasadori tha se kemi parë Shqipërinë të ndërmarrë reforma të vështira, por të nevojshme. “Me miratimin e reformës në drejtësi, Shqipëria përcjell mesazh të fortë, jo vetëm tek SHBA, e BE, por edhe tek investitorët e huaj. Kjo është mënyra më e mirë për të ndryshuar imazhin e Shqipërisë para investitorëve të huaj”, tha Muzin.

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi tha se reforma në drejtësi është një hap shumë i rëndësishëm për të çuar përpara përpjekjen që qeveria ka marrë, por jo vetëm qeveria por të gjithë shqiptarët, për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë, ku jetohet e punohet. Ekonomi duke e konsideruar reformën në drejtësi si një nga ata gurët e themelit që do të përmirësonte shumë jetën e qytetarëve, siguroi se ka një vullnet nga ana e qeverisë për ta bërë këtë reformë realitet. Me ta miratuar këtë reformë , tha Ekonomi, do të bëjmë një hap përpara në procesin e integrimit.

“Përpjekjet për të vendosur ligjin dhe fuqizimin e tij në Shqipëri nuk janë vetëm përpjekje që vijnë nga biznesi, por janë përpjekje që vijnë edhe nga shoqëria për ta bërë ligjin një instrument në duart e tyre, e që bashkohen me përpjekjet që bën qeveria”, u shpreh ministrja. Ekonomi tha se çështja e pronave në Shqipëri padyshim është problematike. Sipas saj, Shqipëria e vuan pjesën që pronat janë të mbivendosura dhe nevoja për të pasur një bashkëpunim më të mirë me gjykata është padyshim e madhe që e bën jetën e biznesit më të qetë e të lehtë. Ekonomi renditi edhe disa nga masat që ka marrë qeveria për të përmirësuar klimën e biznesit.

“Qeveria ka marrë përsipër reforma të rëndësishme. Por, kemi nevojë për sistem drejtësie efikas. Është kyç për progresin. Ne jemi të bindur se s’duhet të ndërpresim ëndrrën evropiane”, theksoi ministrja Ekonomi.

Kryetari i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri Silvio Pedrazzi deklaroi se nevojitet qartësi dhe sundimi i ligji në vendin tonë. Duke evidentuar tre problemet kryesore me të cilat përballen sot investitorët, atë të informalitetit, korrupsionit dhe joefikasitetit të ligjit, kreu i FIAA bëri thirrje për nevojën e reformës në drejtësi për zgjidhjen e situatës.

Aktualitet

Archives