Rama i cilëson përgjegjësi kombëtare negociatat me BE-në

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi të premten konferencën e fundit për shtyp për vitin 2017, ku foli për punën e Qeverisë së Shqipërisë në 100 ditët e para të mandatit të dytë qeverisës dhe për objektivat e vitit të ardhshëm, duke u ndalur në disa çështje, si në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, reformën në drejtësi, etj.

Në fjalën e tij, kryeministri i Shqipërisë theksoi se reforma në drejtësi nuk mund të merret peng për agjenda të ndryshme politike, ndërsa sipas tij negociatat për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE janë përgjegjësi kombëtare e të gjitha palëve në vend.

“Reforma (në drejtësi) ka bërë përparim të konsiderueshëm, institucionet e Vetingut tanimë janë në punë dhe besoj që në fillim të vitit të ardhshëm do të shikojmë rezultatet e para konkrete të punës për pastrimin e pallatit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Zgjedhja e prokurores së përgjithshme, me mandat të përkohshëm është bërë, duke mundësuar vazhdimësinë e punës së institucionit të prokurorit të përgjithshëm dhe duke garantuar se në asnjë moment reforma nuk mund të merret peng për agjenda të ndryshme politike. Është e rëndësishme të theksohet se procesi ka hyrë tanimë në një fazë të re zbatimi dhe paralelisht me Vetingun do të kemi ngritjen e institucioneve të reja të sistemit të reformuar rrënjësisht të drejtësisë”, tha Rama.

Duke folur për luftën kundër kriminalitetit dhe kultivimit të kanabisit, Rama tha se: “Ky vit (2017) shënon shifrën më të ulët historike të vrasjeve dhe shënon edhe vitin e kthesës në raport me fenomenin e kultivimit të kanabisit. Është viti që e nxjerr Shqipërinë nga harta e vendeve që kultivojnë dhe trafikojnë masivisht lëndë narkotike dhe rikonfirmon ecurinë e Policisë së Shtetit Shqiptar në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike”.

Rama gjatë konferencës për media foli edhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe për hapjen e mundshme të negociatave me BE-në. “Në këto 100 ditë të para kemi përshkallëzuar atë, që do ta quaja një aksionin në shkallë të gjerë diplomatik për të siguruar hapjen e negociatave për anëtarësim në BE në 6-mujorin e parë të vitit të ardhshëm. Në këtë aspekt shpreh keqardhjen për faktin që nuk jemi të gjithë bashkë të unifikuar në një qëndrim dhe në një zë për çeljen e negociatave. Kemi një situatë ku opozita po luan me zjarrin simbolikisht e thënë kjo, duke u kthyer në pengesë për të përcjellë mesazh të qartë dhe të unifikuar të politikës shqiptare lidhur me këtë element kyç të ecurisë të Shqipërisë pas rënies së regjimit komunist. Negociatat nuk çelen për qeverinë dhe nuk çelen me Partinë Socialiste, por çelen për Shqipërinë. Negociatat nuk zgjasin sa një mandat qeverisës, negociatat janë përgjegjësi kombëtare e të gjitha palëve”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë.

Rama, lidhur me votën e Shqipërisë pro dhe debatet rreth kësaj, për rezolutën e cila denoncon vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për njohjen e Jerusalemit si “kryeqytet të Izraelit”, që u miratua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB) më 21 dhjetor, u shpreh: “Ky është një debat që nuk zhvillohet në asnjë nga vendet që kanë votuar si Shqipëria. Nuk zhvillohet as në Amerikë. Shqipëria voton si BE-ja. Shqipëria ka një pozicion racional, sepse i takon Shqipërisë, si një vend kandidat për në BE. Ka vende sot në BE që bëjnë politikë kundër BE-së. Jemi një vend i vogël dhe kemi disa pozicione që janë dinjitoze”. (Anadolu Agency – AA).

Aktualitet

Archives