Mançester Siti ekipi më i mirë

Falë lojës sulmuuese të Guardiolës ka shënuar 60 gola, më shumë se çdo skuadër në ligat e mëdha të Europës.

Guardiola tani mban rekordin e fitoreve radhazi në Spanjë me Barcelonën, në Gjermani me Bajernin dhe tani në Angli me Sitin.

“Askush nuk besonte se ne mund ta bënim këtë, – thotë trajneri, – por, unë kam qenë gjithnjë i bindur. Ky stil nuk vlen vetëm për Spanjën, por edhe për Anglinë. Gjithsesi, unë dhe lojtarët e mi jemi gjithnjë ambiciozë dhe duam të përsosemi edhe më shumë”.

Në ekip është Sergio Aguero, rekordmeni i golave në historinë e klubit me 184 gola, nga të cilët 101 i ka shënuar në stadiumin “Etihad”.

E tillë është konkurrenca saqë as argjentinasi nuk e ka vendin të sigurt në formacion, dhe mund të largohet.

Ylli i ri nuk mund të jetë tjetër përveçse Kevin De Brujn, mesfushori belg, që di të shënojë, por sidomos di të pasojë.

Mesfushori 26-vjeçar është modeli i futbollistit modern.

Talenti është me shumicë tek Siti, me dy portierë si Ederson e Klaudio Bravo, me mbrojtës të shkëlqyer si Uolker, Kompani e Stouns, dhe lojtarë ofensivë si Rahim Stërling, Gabriel Zhezus e Leroi Sane.

Guardiola thuhet se nuk është ende i kënaqur dhe se pritet të shpenzojë 180 milionë euro të tjera në janar.

Në shënjestër mbrojtësi Van Dajk, sulmuesi Aleksis Sançez dhe Buskets i Barcelonës.

Pas Sitit, në Europë dominojnë Barcelona, Paris SG dhe Bajerni.

Në Spanjë, Barcelona ka 45 pikë në La Liga ku është ende e pathyer në 17 ndeshje.

Katalanasit kanë 9 pikë më shumë se vendi I dytë dhe 14 pikë më shumë sesa Reali, ndërsa kanë shënuar 45 gola.

Në Francë, Paris SG ka grumbulluar 50 pikë në 19 ndeshje, me vetëm 1 humbje, dhe me 58 gola të shënuar, vetëm dy më pak se Siti.

Nejmar, Mbape e Kavani janë 9 pikë larg vendit të dytë.

Në Gjermani si gjithnjë dominon Bajerni, që ka 41 pikë në 17 ndeshje, 11 më shumë sesa vendi i dytë.

Rikthimi i Hajnkesit solli ndryshimin dhe e vetmja pikë e dobët mund të quhet shënimi i vetëm 37 golave.

Aktualitet

Archives