Erbaş: Paqja u duhet të gjithëve

Kryetari i Drejtorisë së Çështjeve Fetare (Komunitetit Mysliman-Dijanetit) i Turqisë, Ali Erbaş tha se “Paqja u duhet të gjithëve, jo vetëm muslimanëve, por paqja u duhet të gjitha besimeve. Për këtë arsye i gjithë njerëzimi duhet të përpiqet që botën ta shndërrojë në një vend më të sigurtë për të jetuar”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim me shkrim nga Presidenca e Çështjeve Fetare të Turqisë thuhet se Erbaş, në kuadër të vizitës së tij në Azerbajxhan ishte i ftuar i televizionit shtetëror të këtij vendi Az TV.

Erbaş gjatë këtij programi foli për programet e realizuara në kuadër të “Vitit të Solidaritetit Islam 2017”.

Duke rikujtuar se presidenti i Azerbajxhanit İlham Aliyev e ka shpallur këtë vit si “Viti i Solidaritetit Islam”, Erbaş ka thënë “Gjatë vitit 2017 janë mbajtur takime në shtete të ndryshme. Edhe në mesin e muajit tetor në Stamboll u mbajt një takim. Gjatë këtyre takimeve u diskutua për rrugët nëpër të cilat po kalon bota, sidomos për disa plane të realizuara për prishjen e paqes dhe për atë se cilat janë qëllimet e njerëzve të cilët qëndrojnë prapa atyre planeve. U diskutua lidhur me atë se çfarë duhet të bëhet për të siguruar paqen dhe qetësinë në botë”.

Ai theksoi se të gjithë njerëzit e botës, të cilët i nënshtrohen persekutimit, duhet të shpëtohen dhe të parandalohet persekutimi, pa marrë parasysh se nga cili vend vijnë apo cilit besim i takojnë.

“Ne si besimtarë, si muslimanë, duhet t’i bëjmë thirrje gjithë njerëzimit që të bëjnë gjëra të mira, t’i eliminojnë të këqijat, t’i përhapim mirësitë. Po përpiqemi për këtë. Shpresojmë se vendimet e marra në këto takime do të kontribuojnë në ofrimin e paqes në botë, ndalimin e gjakderdhjes dhe eliminimin e organizatave terroriste. Për momentin ne po përpiqemi për këtë, po përpiqemi por në anën tjetër shohim se ka disa qëndrime të cilat dëshirojnë t’i vazhdojnë këto luftëra e këto përleshje. Ne duhet të përpiqemi që t’i eliminojmë edhe ata. Paqja u duhet të gjithëve, jo vetëm muslimanëve, por paqja u duhet të gjitha besimeve. Për këtë arsye i gjithë njerëzimi duhet të përpiqet që botën ta shndërrojë një vend më të sigurtë për të jetuar. Islami tashmë 1.400 vite po përpiqet që ta bëjë këtë. Islami, me ajetin kuranor ‘O ju që besoni, të gjithë hyni në paqe’ i bën thirrje githë njerëzimit për paqe”, tha Erbaş.

“Civilizimi Islam ka mundësuar bashkëjetesën në paqe mes besimeve të ndryshme”

Duke theksuar se civilizimi Islam ka treguar shembujt më të mirë të bashkëjetesës së besimeve, kulturave dhe racave të ndryshme, Erbaş tha se: “Profeti Muhamed ka mundësuar dhe ka arritur bashkëjetesën e njerëzve të besimeve të ndryshme në Medine dhe më pas ne e kemi mbajtur gjallë këtë në Andaluzi, gjatë periudhës së Selxhukëve. Në periudhën Osmane e kemi ngritur në kulm. Ne jemi një qytetërim i cili ka bërë që njerëz të strukturave, prejardhjeve etnike dhe të besimeve të ndryshme të jetojnë të qetë dhe në paqe. Shembujt e kësaj ne i shohim edhe në Azerbajxhan. Po i shohim edhe në Turqi, edhe në Uzbekistan. Nëse ne qëndrojmë të bashkuar dhe në unitet atëherë ua ndalim edhe lotët qindra mijëra vëllezërve tanë muslimanë të Arakanit, të cilët u dëbuan nga Mianmari”.

Ai u shpreh se muslimanët e Palestinës po përjetojnë dhimbje të shumta. Erbaş tha se “Nëse të gjithë njerëzit veprojmë së bashku, shpresoj se mund t’i ndalim këto dhimbje. Në emër të njerëzimit duhet të parandalohen persekutimet ndaj njerëzve nga cilido vend i botës, qofshin muslimanë, të krishterë apo edhe hebrenj”.

Aktualitet

Archives