Shqipëria mbështet integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri, ku fillimisht është takuar dje pasdite me homologun e tij Gramoz Ruçi.

Ruçi dhe Xhaferi pas takimit kanë mbajtur një konferencë për mediat në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, ku janë ndaluar në disa çështje, si në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, në mbështetjen e Shqipërisë për antarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, në bashkëpunimin mes dy vendeve për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në çështje të tjera.

Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, theksoi se gjatë takimit rikonfirmuan angazhimin për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Gjatë takimit kemi ndarë të njëjtin vizion se Shqipëria dhe Maqedonia duhet të anëtarësohen në organizmat euroatlantike, sepse Ballkani Perëndimor është pjesë integrale e sigurisë evropiane. I konfirmova Xhaferit se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë integrimin euroatlantik të Maqedonisë. Shpreha kënaqësinë për rolin konstruktiv dhe shumë aktiv të aktorëve politikë shqiptarë në këtë proces brenda interesave të vendit të tyre dhe brenda interesave për të mirën dhe mirëqenien e tyre. Shpreh besimin tim që nismën për ligjin e gjuhëve dhe konkretisht të asaj shqipe ta shikojmë sa më shpejt të miratuar nga institucionet e Maqedonisë dhe pastaj implementimin de fakto“, u shpreh Ruçi.

 

Xhaferi theksoi në fjalën e tij se si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë do të kontribuojë që bashkëpunimi mes dy vendeve të thellohet edhe më shumë në të gjitha sferat.

Unë si kryetar i Kuvendit  do të përpiqem që të jap kontribut maksimal që bashkëpunimi mes dy vendeve tona të thellohet edhe më shumë në të gjitha sferat. Si shtet jemi të vendosur të përqendrohemi në ndërtimin e shoqërisë qytetare, të bazuar në mundësitë e barabarta të të gjithëve, me theks të veçantë në marrëdhëniet ndëretnike. Bëj ftesë për bashkëpunim më të thellë në të gjitha sferat e mundshme të bashkëpunimit“, tha Xheferi.

 

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ka komentuar situatën në Parlamentin Shqiptar në seancën për votimin e Prokurorës së Përgjithshme të Përkohshëm.

Në konferecën mediatike i pyetur në lidhje me këtë situatë, Xhaferri tha se nuk pajtohet me dhunën në Parlament.

“…Kundrejt ngjarjeve të parlamentit shqiptar dhe atyre që kanë qenë në Maqedoni konsideroj se e drejta për protestë është e pacënueshme, por edhe si deputet, edhe si kryetar parlamenti nuk pajtohem me dhunën ndaj institucionit më të lartë ligjvënës për faktin që nuk ndaj mendimin se mjetet e dhunshme janë mjeti i duhur dhe për këtë mendoj se nuk ka vend për koment tjetër…”.

Ndërsa, kryetari i kuvendit të Shqipërisë, Ruçi në lidhje me situatën e fundit në parlament tha:

“… Asnjë opozitë e deritanishme nuk ka tentuar që anëtarët apo simpatizantët e tyre ti kundërvihen me forcë policisë  për të ozurpuar parlamentin. Në asnjë rast nuk ka ndodhur që parlamentarët në senacë të parlamentit të përdorin violencë drejt kabinetit qeveritar apo drejtuesit të senacës…“.

Kryeparlamentari i Maqedonisë, Xhaferri është takuar  edhe me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, me zëvendëskryeministren e Shqipërisë, Senida Mesi, si dhe me liderin e opozitës dhe njëkohësisht kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

Ndërsa sot, Xhaferi realizojë një vizitë në Bashkinë Pustec.

Aktualitet

Archives