Koment – Bashkëpunimi rajonal në Ballkan

Për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian, vendet e Ballkanit do të duhet të marrin hapa më të vendosura në nivel kombëtar dhe rajonal, në drejtim të sundimit të ligjit, të mirëqeverisjes ekonomike dhe zhvillimit të kapaciteteve administrative.

Zgjerimi vazhdon të jetë një nga politikat kyçe të BE-së. Përkundër sfidave të ndryshme, vendet e Ballkanit Perëndimor po hedhin hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit në BE. Që nga fillimi, pushteti i BE-së ka ndihmuar në reformimin e shtetit dhe ekonomisë në Ballkan, në përmirësimin e cilësisë së demokracisë dhe në rritjen e produktivitetit në institucionet publike. Në të njëjtën kohë, vendet e Ballkanit Perëndimor po përpiqen të përmirësojnë ekonomitë e tyre dhe të përshpejtojnë procesin e anëtarësimit në BE duke ndërmarrë hapa të mëtejshëm në nivel rajonal.

Kohët e fundit në bashkëpunimin rajonal midis vendeve të Ballkanit kanë nisur të mëshojnë çështjet ekonomike si: përmirësimi i kushteve të jetesës, konkurrenca dhe zhvillimi. Sondazhet e opinionit publik tregojnë se njerëzit e rajonit çështjet e papunësisë dhe gjendjen e përgjithshme ekonomike i perceptojnë si problemet kryesore të rajonit.

Për dekada të tëra vendet e Ballkanit nuk po hyjnë dot në mesin e ekonomive në rritje. Nëse u referohemi shifrave, shikojmë se pjesa që zinin vendet e Ballkanit Perëndimor brenda PBB-së totale të botës në vitin 1980 ka qenë 0,38%, ndërsa në vitin 2008 kjo shifër kishte rënë në 0,18%. Pas kësaj date, problemet socio-ekonomike në vendet e Ballkanit u thelluan edhe më shumë për shkak edhe të krizës ekonomike globale. Sot, të ardhurat për kokë banori në vendet e Ballkanit Perëndimor janë 38 për qind e të ardhurave mesatare për frymë në BE.

Sipas raportit me emrin “Barometri Ballkanik 2016”, 28 për qind e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor nuk mund të paguajnë qiranë dhe faturat; 20 për qind nuk mund të sigurojnë ngrohje të mjaftueshme në shtëpitë e tyre gjatë muajve të dimrit; 40 për qind ndjejnë rrezikun e rënies në varfëri dhe 36 për qind janë të shqetësuar për humbjen e vendit të punës. Nga ana tjetër, edhe bota e biznesit ka vështirësi të ndryshme. Vitin e kaluar, 40 për qind e kompanive në Ballkanin Perëndimor iu desh të gjente një zgjidhje për pagesat e prapambetura. Shumica e këtyre kompanive gjithashtu kanë pasur probleme në gjetjen e financave.

Duke qenë se sektori privat ka bazë të ngushtë, për të rritur fuqinë e tyre konkurruese dhe për t’u rritur ekonomikisht vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një rrjedhje konstante të kapitalit të huaj. Duke qenë të vetëdijshëm se sfida të tilla nuk mund t’i kapërcejnë lehtë, vendet e Ballkanit Perëndimor kohët e fundit po përpiqen të ndërmarrin hapa në nivel rajonal, të veprojnë së bashku, të sigurojnë përfitime të përbashkëta dhe ti afrohen më shumë anëtarësimit të tyre në BE.

Samiti i Triestes për Ballkanin Perëndimor, i mbajtur më 12 korrik 2017, ishte ngjarja më e rëndësishme rajonale e vitit, ku u adresuan projektet e infrastrukturës që synojnë përmirësimin e lidhjeve të transportit dhe energjisë në rajon. Përveç Samitit të Triestes, edhe takime të ngjashme që janë mbajtur në vitet e mëparshme në Vjenë dhe Berlin sigurojnë gjithashtu një shtytje pozitive për reformat që duhen zbatuar në rrugën drejt pranimit në BE.

Sot, niveli i bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor ka krijuar nevojën edhe për një mbështetje të fortë parlamentare. Pasi disa forume parlamentare të zhvilluara në rajon jo vetëm që lehtësojnë komunikimin rajonal, por gjithashtu kontribuojnë edhe në mirëkuptimin e përbashkët rajonal dhe procesin e integrimit të rajonit në BE.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) me seli në Sarajevë është institucioni më i rëndësishëm që i bashkon vendet e Ballkanit në interesa të përbashkëta. Ky Këshill (RCC) siguron kontribute të rëndësishme në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkan, si dhe në mbështetjen e reformave politike, ekonomike, sociale dhe institucionale në vendet e rajonit. Si një krah operacional i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) kohët e fundit ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar kushtet për rritje (ekonomike), punësim dhe konkurrencë në Ballkan. 

Me mbështetjen e të gjitha këtyre institucioneve dhe aktiviteteve të mbajtura në nivel rajonal, vendet e Ballkanit po përpiqen të ndërtojnë një perspektivë të re për veten e tyre. Ato dëshirojnë që Ballkani të mos njihet si një rajon i paqëndrueshëm, por si një rajon që lufton korrupsionin, që forcon institucionet shtetërore, që përpiqet të thithë investime të huaja dhe që interesohet me kushtet e jetesës së qytetarëve të vet. Megjithatë, vendet e Ballkanit do të duhet të ndërmarrin më shumë hapa në lidhje me këto çështje. Ndërsa për të përshpejtuar procesin e pranimit në BE, ato do të duhet të marrin hapa më të vendosura në nivel kombëtar dhe rajonal, në drejtim të sundimit të ligjit, të mirëqeverisjes ekonomike dhe zhvillimit të kapaciteteve administrative. Përveç kësaj, ato duhet të jenë të kujdesshme në shmangien e lëvizjeve dhe deklaratave që tensionojnë marrëdhëniet dypalëshe. Gjatë vitit 2017, ka pasur zhvillime të ndryshme që kanë çuar në tensionimin e marrëdhënieve dypalëshe, të cilat padyshim kanë pasur reflektimet e tyre në cilësinë e bashkëpunimit rajonal.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ

TRT Shqip

Aktualitet

Archives