Gjysmëhëna e Kuqe Turke vazhdon të dërgojë ndihma pas përmbytjeve në Shqipëri

Gjysmëhëna e Kuqe Turke (Kizilay) shpërndau të hënën ndihma për banorët e prekur nga përmbytjet në zonën e Fushë Krujës në Shqipëri.

Kizilay siguroi ndihma ushqimore, materiale higjienike dhe materiale të tjera për banorët e prekur nga përmbytjet që përfshinë disa qytete të Shqipërisë në fillim të dhjetorit.

I pranishëm në shpërndarjen e ndihmave për dhjetëra familje në Njësinë Administrative Fushë Krujë, ishte edhe përfaqësuesi i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Abdullah Tatlıcı.

Tatlıcı gjatë shpërndarjes së ndihmave u përcolli familjeve të prekura nga përmbytjet përshëndetjet e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Në një prononcim për AA, Tatlıcı theksoi se përfaqësuesit e Gjysmëhënës së Kuqe Turke kanë ardhur në Shqipëri për të ndihmuar familjet, që janë prekur nga përmbytjet dhe do të shpërndajnë ndihma edhe në qytetin e Vlorës, Fierit dhe Fushë Krujës.

“Kamionët tanë me ndihma kanë mbërritur mbrëmjen e të dielës në Shqipëri dhe filluam me shpërndarjen në Fushë Krujë. Ndihmat konsistojnë në ushqime, paketa higjienike dhe batanije. Falënderoj Kryqin e Kuq Shqiptar për bashkëpunimin dhe mbështetjen për të realizuar shpërndarjen e ndihmave. Gjysmëhëna e Kuqe mundohet që të jetë në gjithë botën, ku ka fatkeqësi natyrore. Sot ne jemi në Shqipëri pranë vëllezërve tanë për t’i ndihmuar. Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë ka qenë gjithmonë prezent në trojet e Ballkanit dhe sot jemi këtu për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë banorëve të prekur nga përmbytje”, tha Tatlıcı.

Gjysmëhëna e Kuqe Turke do të ndihmojë rreth 1000 familje me pako ushqimore me standard mujor 20 kg, ku përfshihen produkte ushqimore, si vaj, fasule, oriz, sheqer, kripë, etj. Gjithashtu Gjysmëhëna e Kuqe Turke do të ofrojë për familjet e prekura nga përmbytjet edhe batanije dhe materiale higjienike.

Aktualitet

Archives