Turqia zhvillon aktivitete humanitare në mbi 140 vende të botës

Në fjalën që mbajti në hapje të Samitit Botëror Humanitar të OKB-së Presidenti Erdoan tha se Turqia sot në më shumë se 140 vende të botës zhvillon aktivitete në fushën e ndihmave humanitare dhe zhvillimit, duke realizuar me mijëra projekte.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) mbajti një fjalim në hapjen e Samitit Botëror Humanitar të OKB-së, që ka nisur punimet sot në Stamboll.

Turqia është një vend që e di shumë mirë qe dhimbja nuk ka ngjyrë, gjuhë, racë dhe fe, u shpreh Erdoan ndërsa u rikujtoi pjesëmarrësve në Samit se Turqia sot mirëpret më shumë se 3 milionë migrantë sirianë dhe irakianë.

“Dua ta them me një krenari të madhe se edhe nëse vazhdon ky proces i azilit, ne nuk do ti mbyllim asnjëherë dyert tona ndaj njerëzve që ikin nga bombat fuçi, që përballen me rreziqe të mëdha pa marrë parasysh nëse do të jenë sirianë apo irakianë. Nuk do ti mbyllim dyert tona ndaj njerëzimit”, u shpreh kreu i shtetit turk.

Me këtë qasje Turqia sot realizon aktivitete në fushën e ndihmave humanitare dhe të zhvillimit në më shumë se 140 vende të botës, shtoi ai.

Erdoan ka pohuar më tej se sistemi aktual fatkeqësisht është i pamjaftueshëm përballë problemeve emergjente të njerëzimit. Ai ka shtuar se barrën e sistemit që nuk prodhon zgjidhje ndaj problemeve po e mbartin vetëm disa shtete të caktuara dhe ka theksuar se tashmë të gjithë duhet të bëjnë përpjekje në këtë drejtim.

Ceremonia e hapjes së Samitit u zhvillua në Sallonin “Harbiye” të Qendrës së Kongreseve në Stamboll me pjesëmarrjen e rreth 60 kryetarëve të shteteve e qeverive, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-mun si dhe të ministrave dhe përfaqësuesve.

Ceremoninë e hapjes e drejtoi aktori amerikan Forest Whitaker. Në këtë ceremoni u shfaqën edhe video me temë nga dramat njerëzore sot në botë.

Kurse në sesionin e liderëve të realizuar në mëngjes mbajtën nga një fjalim Presidenti Rexhep Tajip Erdoan dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-mun.

Në këtë mëngjes pune morën pjesë kryetarët e rreth 60 shteteve e qeverive dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare. Pas këtij sesioni liderët bënë edhe fotografinë familjare.

Planifikohet që pjesa e ditës së sotme e samitit të përfundojë me darkën që Presidenti Erdoan do të shtrojë për nder të krerëve të delegacioneve.

Aktualitet

Archives