Përkujtohet Lindja e Begatë e Hz. Muhammedit (a.s)

Ditën e enjte, më 12 Rebiul-evvel 1439, që përkon me datën 30 nëntor 2017, Myftinia Shkodër organizoi një aktivitet me rastin e përkuntimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s).

Aktiviteti që u zhvillua në xhaminë e Medresesë, u përqendrua tek mesazhet dhe këshillat, urimet dhe lutjet për kthimin e duhur tek traditat dhe morali i Hz. Muhammedit (a.s), gjallërimi i mexhliseve me salavate dhe lexim e shphegime të jetës dhe historisë së të dërguarit Mëshirë për mbarë botët.

Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, theksoi se përkujtimi i lindjes dhe ndërrimit jetë të Resulull-llahut (a.s) në të njëjtën ditë, është një moment reflektimi për të parë nivelin e marrëdhënies me të dërguarin (a.s) dhe mesazhet e tij, që mbeten edhe sot, balsam shërues për lëngatat e botës dhe degradimit të saj.

Ndërsa drejtori i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, theksoi se kjo ditë na fton për të kuptuar madhështinë e dërgesës hyjnore të Hz. Muhammedit (a.s) dhe ndjenjën e krenarisë legjitime për ndjekjen dhe pasimin e tij, si Mësues edukator i njerëzimit.

Ndërsa ligjërata kryesore, ajo me temë: “Muhammedi është i dërguar i All-llahut”, u mbajt nga teologu Lavdrim Hamja.

Gjatë saj, imami i nderuar hodhi dritë rreth kuptimeve të dërgedës profetike të Hz. Muhammedit (a.s) dhe domosdoshmërisë së ndjekjes së gjurmëve të tij në rrugën e udhëzimit.

Ai theksoi se shembulli i Hz. Muhammedit (a.s) mbetet dritë udhëzimi praktik deri në ditën e kiametit.

Duke iu referuar ajeteve kur’anore, haditheve dhe shpjegimeve bashkëkohore, ai theksoi se bota sot, ka nevojë për një shembull garant si ai i Hz. Muhammedit (a.s).

Aktualitet