Në Shqipëri shënohet 73-vjetori i Çlirimit

Shqipëria shënoi  73-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë, ndërsa me rastin e kësaj dite që është festë zyrtare janë zhvilluar disa aktivitete të larmishme.

Zyrtarë të lartë të shtetit dhe përfaqësues të partive politike përkujtuan me një ceremoni solemne pranë monumentit ”Nënë Shqipëri”, 73-vjetorin e Çlirimit.

Presidenti Ilir Meta, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministra të kabinetit qeveritar, veteranë e tjerë zhvilluan homazhe duke vendosur kurora me lule në nderim dhe respekt të të rënëve.

Në përfundim të ceremonisë zyrtare drejtuesit e lartë të shtetit shqiptarë janë takuar me veteranë të luftës dhe qytetarë të pranishëm në ceremoninë e organizuar në Tiranë.

Ndërkohë ceremoni dhe aktivitete të ndryshme me rastin e 73-vjetorit të Çlirimit janë mbajtur edhe në qytetet e tjera, organizuar nga institucionet e pushtetit vendor.

Në këtë ceremoni munguan përfaqësuesit e opozitës, të cilët prej vitesh e festojnë Ditën e Çlirimit në 28 Nëntor, bashkë me festën e Pavarësisë.

Por, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ishte në krah të kreut të Kuvendit dhe kryeministrit në memorialin “Nënë Shqipëri”, pranë varrezave të dëshmorëve në kryeqytet.

Gjithashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim nderoi ata që dhanë jetën në Luftën Anti-Fashiste Nacional Çlirimtare.

Kryetarja e kësëj force politike, Monika Kryemadhi u shpreh: “Ne sot nderojmë sakrificën e 28 mijë dëshmorëve, të cilët aspironin për një Shqipëri moderne, për një Shqipëri të begatë dhe pse jo të gjitha dëshirat e tyre janë të realizuara, motivimi ynë mbetet që këto ëndrra dhe dëshira të tyre t’i çojnë më tej, brezat e rinj”.

29 Nëntori një natë e gjatë, ku qyteti i Tiranës dhe institucionet e artit  gjallëruan natën e 29 nëntorit me aktivitetet e artit, shfaqjet, instalacionet, filmat, duke e kthyer “Natën e Bardhë” shqiptare një event kulturor që e afron Tiranën me shumë qytete evropiane.

 

 

Aktualitet

Archives