Shqipëria feston 28 Nëntorin, Dita e Pavarësisë dhe Flamurit

Shqipëria feston sot 105-vjetorin e Pavarësisë.

Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.

28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.

Qyteti i flamurit, Vlora, do të jetë sot epiqendra e festimeve në 105- vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Në shenjë simbolike me rastin e Festës Kombëtare të Pavarësisë në Vlorë do të vijojë sot dita e dytë e mbledhjes së dy qeverive Shqipëri-Kosovë.

Axhenda e aktiviteteve për festën e Flamurit parashikon ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar dhe homazheve në monumentin e Atit të Pavarësisë, Ismail Qemal bej Vlorës në orën 12:00, ndërsa në orën 12.30, do të bëhet shpallja e logos zyrtare të Vitit të Skënderbeut.

Ndërsa në Tiranë, me rastin e Ditës së Pavarësisë, në orën 10.00, zhvillohet ceremonia e vendosjes së kurorave pranë Monumentit të Pavarësisë.

Në orën 11.00, ngritja e Flamurit në Sheshin Skënderbej, ku do të marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha, Anglinë,Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.

Po ashtu , u njoftuan edhe shtetet ballkanike, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.

Më 28 nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit Shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.

Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.

28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.

Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë.

Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar./Ata

Aktualitet

Archives